Futboll

“Në Afrikë bëjnë shumë fëmijë”, presidenti i Shalkes bëhet çështje

Presidenti i Shalke 04, Clemens Tonnies, është vënë në qendër të vëmendjes, pasi akuzohet për racizëm. Disa deklarata të tij në lidhje me ndryshimet klimaterike janë bërë çështje dhe pronari i kësaj skuadre rrezikon largimin pas 18 vitesh.

Klubi gjerman po vlerëson qëndrimin që duhet të mbajë për presidentin e këshillit mbikëqyrës, Clemens Tonnies, pasi industrialisti ka deklaruar së fundi se në Afrikë bëjnë shumë fëmijë dhe ka propozuar si zgjidhje për ndryshimet klimaterike përdorimin e parave të mbledhura nga taksat për ndërtimin e 20 centraleve elektrike në vit. “Kështu afrikanët do të heqin dorë nga prerja e pemëve dhe bërja e fëmijëve kur është errësirë”, - ishte fjalia që inkriminon presidentin e Shalkes. Një deklaratë që sigurisht nuk kaloi pa u vënë re dhe që rrezikon të ketë pasoja të rënda për Tonnies. Për ta ardhmen e tij vendos këshilli i klubit dhe masat mund të jenë nga paralajmërimi te lënia jashtë detyrave të rëndësishme sociale përjetësisht për industrialistin.

Clemens Tonnies, presidenti i Shalke 04. Gaztea Si, 6 gusht 2019

Menjëherë ka ardhur ndjesa publike e Tonnies, i cili ka specifikuar: “Kam qenë gjithmonë për një shoqëri të hapur dhe më vjen keq për komentin në lidhje me numrin e lartë të fëmijëve në Afrikë. Si president i Shalkes, jam 100% në linjën e vlerave të klubit tonë. Dhe kjo përfshin luftën kundër racizmit, diskriminimit dhe përjashtimit. Për këtë, dua të kërkoj ndjesë publikisht. Ishte e gabuar dhe pa sens. Më vjen shumë keq”. Por kjo ndjesë mund të mos mjaftojë dhe pas 18 vitesh si president, Tonnies rrezikon të largohet nga Shalke 04.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë