Sociale

Pas 4 majit, 18 bashki në zonën e gjelbër, pas 11 majit hapen edhe qendrat tregtare

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu prezantoi planin e hapjes dhe lehtësimit të masave që do të hyjnë në fuqi që nga data 4 maj.

“Jemi në një moment shumë të rëndësishëm dhe përcaktues për vijimin e situatës epidemike në vend. Nga vlerësimi i vazhdueshëm i të dhënave epidemiologjike, konstatohen ende vatra aktive infeksioni, në disa zona të vendit, ku po punohet intensivisht nëpërmjet testimit dhe gjurmimit agresiv të kontakteve. Strategjia e rihapjes e hartuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, parashikon disa faza të lehtësimit të ngadaltë dhe të kujdesshëm të masave shtrënguese”, tha Manastirliu. Ministrja e Shëndetësisë ka njoftuar përfshirjen në “zona të gjelbërta” edhe të 18 bashkive të tjera në vend që konsiderohen më risk të ulët për përhapjen e infeksionit. Nga data 4 maj do të përfshihen si zona të gjelbërta bashkitë: Tropojë, Rrogozinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vajgurore, Kuçovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë Vlorë, Selenicë. Duke theksuar se ky vendim është marrë në përputhje me ecurinë e kurbës epidemiologjike dhe indikatorëve të sistemit shëndetësor si dhe duke u bazuar në nivelet e riskut, Manastirliu tha se “zonat e gjelbërta” do të kenë të njëjtat rregulla të lëvizjes dhe fashave orare tashmë të përcaktuara për këto zona. Do të lejohet shërbimi taksi, në të gjithë territorin, duke zbatuar protokollin e sigurisë me deri në dy pasagjerë, anëtarë të të njëjtës familje për udhëtimet ndërqytetëse.

Më tej ministrja Manastirliu bëri të ditur se vetëkarantinimi i personave që vijnë nga jashtë dhe që jetojnë në zonat e kuqe do të vijojë dhe do të ketë një monitorim të rreptë nga ana e strukturave më qëllim zbatimin e masave.

"Duke filluar nga data 4 maj, personat që do të riatdhesohen dhe që janë me banim ne zonat e kuqe do të vetëkarantinohen në banesë me kushte strikte dhe nën monitorim të rreptë. Ndërsa të riatdhesuarit që banojnë në zonat jeshile do të vijojnë karantinën në strukturat akomoduese të përcaktuara"

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, shpjegoi se prej datës 11 maj do të lehtësohen një grup tjetër biznesesh, siç janë parukeritë, berberë, dentistë dhe dyqane në qendra tregtare, të cilat do të hapen me protokolle rigoroze sigurie.

"Në planin tonë të dy javëve që do të pasojnë, duke filluar nga data 11 maj e në vijim, planifikojmë të vijojmë me disa lehtësime masash, por me protokolle rigoroze sigurie për një grup tjetër biznesesh, siç janë parukeritë, berberë, dentistë dhe dyqane në qendra tregtare. Nga java që nis do të njihen me protokollet specifike, dhe do duhet që këto subjekte të marrin masa për organizimin e shërbimit me kushtet e reja. Në vijim të draft-planit, dhe e përsëris draft-plan pasi do të vlerësohet situata në dinamikë, nëse të dhënat do të jenë të qëndrueshme, bazuar në kriteret e përcaktuara nga ekspertët, nga 18 maji e në vijim, sipas disa hapave të mëtejshëm, do të vlerësojmë dhe hapjen e njësive të shërbimit, bare e restorante, vetëm për mjediset e hapura sipas protokolleve të ruajtjes së distancës dhe kushteve higjeno-sanitare’’.

Manastirliu ritheksoi se nëse gjatë këtyre dy javëve do të vihet re, që kushtet dhe situata do të pësojë ndryshime, për shkak të rihapjes, do të duhet të ri-kthehemi ne situatën e mbylljes së detyrueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë