Kombetarja

Ndryshon lista e Kombëtares, Kaçe në vend të Loret Sadikut

Fatjon Rupi - Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, ka bërë një ndryshim në listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet me Skocinë dhe Uellsin. Në listë është shtuar mesfushori Ergys Kaçe, i cili ka zënë vendin e Loret Sadikut, por në njoftimin zyrtar të FSHF-së nuk ka asnjë shpjegim në lidhje me mungesën e këtij të fundit. Sqarimin duket se do ta bëjë vetë trajneri italian në konferencën e radhës për shtyp.

Përfshirja e Loret Sadikut në listën e Kombëtares mori vëmendje për faktin se ai kishte lënë më parë kuqezinjtë për Kosovën dhe tani rikthehej te Shqipëria, por të paktën për dy ndeshjet e radhës nuk do të jetë pjesë e saj. Shtypi sportiv në Kosovë bën me dije se Loret Sadiku ka vendosur të mos e pranojë ftesën e trajnerit Panuçi, pasi dëshiron të luajë me Kosovën. Një refuzim që pritet të sjellë më shumë polemika për çështjen e lojtarëve, nëse duhet të luajnë me Shqipërinë apo Kosovën. Federata e Futbollit të Kosovës, gjithmonë sipas shtypit kosovar, do t’i kërkojë sërish FIFA-s që Sadiku të lejohet të luajë me kombëtaren kosovare. Megjithatë, gjithçka do ta bëjë të qartë vetë trajneri Panuçi.

Fati e do, me sa duket, që Ergys Kaçe, mesfushori i Panathinajkosit, të jetë gjithmonë pjesë e kuqezinjve. Ka ndodhur shpesh që ai nuk ka qenë pjesë e listës fillimisht, por më pas është grumbulluar për të zëvendësuar ndonjë lojtar të dëmtuar, apo që nuk vjen për një arsye tjetër në skuadër. Thirrja e tij në këtë rast ishte e nevojshme, pasi edhe Ylber Ramadani ka probleme fizike, edhe pse mbetet në listën e Panuçit.        

Loret Sadiku

“Trajneri i kombëtares, Kristian Panuçi, ka njoftuar zëvendësimin e Loret Sadikut me Ergys Kaçen, sa i përket listës së futbollistëve që ka grumbulluar për dy ndeshjet e radhës që do të luajë Shqipëria. Ndeshjen e parë kuqezinjtë do ta luajnë përballë Skocisë në datën 17 nëntor, ora 20:45, në stadiumin “Loro Boriçi”, e vlefshme për UEFA Nations League. Ndeshja e dytë e kombëtares do të jetë miqësore, Shqipëri-Uells, e cila do të zhvillohet në datë 20 nëntor, në “Elbasan Arena”,ora 20:00”, - shkruhet në njoftimin zyrtar të FSHF-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë