Shendet

Ndryshimi i dietës mund të ulë rrezikun e prekjes nga kanceri i zorrëve te meshkujt

Sipas studimeve të realizuara, meshkujt janë në përgjithësi më të prirur të sëmuren nga kanceri i zorrës së trashë, por ndryshimi i dietës së tyre ushqimore mund të ulë rrezikun e zhvillimit të kësaj sëmundjeje.

Ushqimet me bazë bimore ofrojnë një sërë përfitimesh të shëndetshme, si rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare, presionit të lartë të gjakut dhe diabetit të tipit 2. Konsumimi i rregullt i frutave dhe perimeve mund të zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të disa llojeve të kancerit.

Një studim i ri i realizuar me 79,952 burra në Shtetet e Bashkuara ka zbuluar se një dietë e pasur me perime, fruta, drithëra, bishtajore, arra dhe fara mund të sjellë rrezik 22 për qind më të ulët të zhvillimit të kancerit kolorektal apo tumorit të zorrëve krahasuar me ata që i konsumojnë më pak ushqimet me bazë bimore.

Sipas studimit, reduktimi i konsumit të ushqimeve me bazë shtazore dhe sheqernave mund të sigurojë përfitime gjatë gjithë jetës.

Ndërkohë studiuesit nuk gjetën një lidhje midis dietave me bazë bimore dhe kancerit në 93,475 gra që u morën në studim.

"Ne mendojmë se antioksidantët që gjenden në ushqime të tilla si frutat, perimet dhe drithërat mund të kontribuojnë në uljen e rrezikut të kancerit kolorektal duke shtypur inflamacionin kronik, i cili mund të çojë në kancer", shpjegon Jihye Kim pedagoge në Universitetin Kyung Hee në Korenë e Jugut.

Në studimin e publikuar në Science Alert, thuhet se burrat që konsumojnë 9 për qind më pak mish se mesatarja, kanë më pak mundësi të preken nga kanceri kolorektal, apo tumori i zorrës së trashë.

“Duke qenë se meshkujt janë më të rrezikuar se femrat nga kanceri kolorektal, kjo mund të shpjegoj arsyen se pse dietat e pasura bimore kanë më shumë efekt te burrat sesa tek gratë. Po ashtu në përgjithësi gratë konsumojnë më tepër perime ndaj përfitimet ndaj kësaj diete ato mund ti kenë marrë më herët”, thuhet në studim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë