Irena Beqiraj

Ndryshimi i dhimbshëm demografik


Shqiptarët po lindin më pak fëmijë sesa në të kaluarën, dhe kjo ka pasur dy efekte të lidhura: popullsia në tërësi po rritet më ngadalë si dhe po rritet mosha mesatare e popullsisë .

Megjithëse sot Shqipëria nuk është vendi  më i moshuar në Europë, ajo po plaket jashtëzakonisht shpejt. Një tregues i kësaj dukurie është  përqindja e popullsisë mbi 65 vjeç. Në Europë, u deshën mesatarisht 26 vjet që ky raport të rritej nga 15% në 20%;  në Shtetet e Bashkuara u deshën më shumë se 50 vjet . 

Në Shqipëri të dhënat demografike tregojnë se  mosha mbi 65 nga 5.5% që zinte në vitin 1990, sot zë rreth 16%  të totalit të popullsisë. Ndërkohë që parashikohet se popullsia mbi moshën 65 vjeç e lart  do të arrijë në 26.4%  në vitin 2050.

Ky trend demografik ka implikime të mëdha  për vendin. Ekonomisë  tonë i ka mbetur shumë më pak kohë krahasuar me kohën që patën  ekonomitë e zhvilluara për t'u përgatitur për kalimin në një shoqëri të moshuar.  Për më tepër, ky kalim  shoqërohet me  kostot e larta fiskale të plakjes, ndërkohë që jemi  ende një komb relativisht i varfër. Një popullsi në plakje çon në një ekonomi edhe më pak dinamike.

Madje  rritja e ngadaltë e popullsisë  në vetvete është  burim i stanjacioni ekonomik. Një popullsi në rritje të shpejtë do të thotë rritje e kërkesës për produkte të të gjitha llojeve - shtëpi të reja, restorante, qendra tregtare, e kështu me radhë.  Kjo do të thotë më shumë biznese, që do të thotë më shumë mundësi për zhvillim. Në të kundërt, në një vend me një popullsi në plakje, fillimi i një biznesi të ri do të kërkonte zëvendësimin e një biznesi ekzistues. Studimet empirike tregojnë  se çdo rritje prej 10 për qind në fraksionin e popullsisë mbi moshën 65 e  ul PBB-në për frymë me 5.5 për qind.  Një e treta e këtij reduktimi vjen  nga rritja e ngadaltë e punësimit;  dy të tretat për shkak të ngadalësimit  të produktivitetit të punës. 

Efektet e plakjes, shume shpejt do të çojnë në krizën e sistemit  të pensioneve. Për më tepër gratë, të cilat jetojnë mesatarisht 6-7 vjet më shumë se burrat dhe zakonisht janë disa vjet më të reja se bashkëshortët e tyre do të paguajnë çmimin më të lartë për këtë ndryshim të dhimbshëm demografik.

Të rritësh një fëmijë është një investim të paktën 18-vjeçar, i cili kërkon, strehë, siguri ekonomike, shëndetësore edhe arsimore. Familjet shqiptare përballen me 3 sfida të mëdha.

Së pari, të ardhurat e disponueshme të familjeve shqiptare janë më të ultat në rajon.

 Së dyti, strehimi është i papërballueshëm. Për të kuptuar çmimet e papërballueshme  të banesave mjafton të përmendim që tregu shqiptar i banesave vlersohet  rreth 3.3  herë më shumë se PBB-ja e vendit. Ndërkohë që tregu amerikan i pasurive të paluajtshme vlerësohet sa 1.6 herë  e PBB-së amerikane.

Së treti,  arsimi dhe shërbimi shëndetësor publik i dobët i shtyjnë familjet shqiptare drejt shkollave edhe shërbimit mjekësor me pagesë.

Miksimi i këtyre 3 komponentëve afatgjatë  bën thuajse të papërfillshme  çdo zgjidhje afatshkurtër, të ofruar si bonusi i bebeve apo siç është edhe premtimi i opozitës për pagesën e pagës së plotë për 1 vit për nënat .

 Qasja  e çdo ane të  politikëbërjes për t'ju dorëzuar  me një lehtësi maramendëse  tundimeve afatshkurtra, madje edhe varësive nga rrjetet sociale , (ku vritet koha, ku vështirë se gjenerohen zgjidhje përtej propagandës),  është komponenti i katër që i shtohet sfidës së familjeve të reja shqiptare , të cilat në mungesë të zgjidhjeve,  drejtohen një  njëherë e mirë  drejt emigracionit.

Këto rreshta nuk janë aspak për të nxirrë sukseset e paarriturra të qeverisë, as për të vendosur në dyshim sukseset imagjinare që ëndërron opozita. Këto rreshta nuk janë as shtysë për të hapur debat në podcast -et më të reja në vend .

Këto rreshta jane daulle për ata që kanë  duan të dëgjojnë, por mbi të gjitha për ato që e duan Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”