Politike

Ndryshimet kushtetuese, pedagogët shpërfillin Kuvendin

Seanca dëgjimore me përfaqësues të botës akademike për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga opozita parlamentare dështoi. Në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve, të zhvilluar online u paraqit vetëm pedagogia Argita Buna, si përfaqësuese e një universiteti privat.

Buna e vlerësoi nismën si pozitive, e që i hap rrugën një diskutimi të gjerë publik, por u shpreh skeptike në lidhje me miratimin e saj. Në lidhje me propozimin për ndryshimin e sistemit zgjedhor duke kaluar në sistemin proporcional rajonal, Buna nënvizoi se Kushtetuta nuk e njeh fjalën rajon.

Ajo u shpreh skeptike edhe në lidhje me propozimin për ndalimin e koalicioneve, ndërsa foli me rezerva edhe për pragun e propozuar prej 5 për qind, që siç tha, mund të jetë shumë i lartë.

Ndërkohë, deputeti Myslim Murrizi qortoi mungesën e përfaqësuesve të tjerë. Ai tha se të paktën pedagogët e universiteteve publike e kanë për detyrë që t’i përgjigjen Kuvendit me ekspertizën e tyre në të tilla raste.

“Do të doja që të ishin të pranishëm të gjithë universitetet e drejtësisë, të paktën pjesën publike. e kanë për detyrim publikisht përderisa janë universitete që mbahen nga taksat e qytetarëve… që të ishin të pranishëm në këtë takim. Edhe nga Akademia e Shkencave duhej të ishte dikush”, u shpreh ai.

Mbledhja u drejtua nga deputetja Vasilika Hysi. Hysi propozoi në fund që në mungesë të ekspertëve të tjerë në seancën dëgjimore, pedagogët të dorëzojnë me shkrim brenda ditës së premte mendimet e tyre mbi nismën në tërësi, apo pjesë të caktuara të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë