Futboll

Ndryshime te Laçi, ikën Prenga dhe vjen Starova

Kur po i drejtohemi fundit të kampionatit, sërish ekipet shqiptare nuk ngurojnë të ndryshojnë trajnerët e tyre. Këtë herë është Laçi që ka bërë ndryshime në pankinën e tij. Ekipi kurbinas ka larguar nga drejtimi i skuadrës Besnik Prengën dhe në stol do të ulet një emër i njohur i Superligës, si Sulejman Starova.

Trajneri Prenga u rikthye te Laçi me një bujë të madhe, me objektivin që ekipi të shkonte në Kupat e Europës. Por gjërat nuk shkuan siç duhet për Prengën në drejtim të Laçit dhe drejtuesit ndërprenë bashkëpunimin. Dy barazimet rresht në javët e fundit në kampionat dhe humbja në Kupë me Tiranën, bënë që Laçi të dilte disi nga objektivat sezonal dhe Prenga nuk mund të vijonte të ishte në krye të ekipit kurbinas. Prenga e drejtori ekipin dy herë brena një harku kohor të një viti, por për fat të keq të dyja aventurat e tij me Laçin nuk ishin shumë të gjata.

Mësohet se në drejtimin e Laçit do të jetë Sulejman Starova, i cili pas një takimi me drejtuesit kurbinas ka gjetur gjuhën e përbashkët dhe pritet të ulet në stol, duke filluar që nga kjo fundjavë. Starova që prej largimit nga Ferronikeli në Kosovë verën e shkuar ishte pa një ekip dhe kjo aventurë në Kurbin do të jetë një mundësi për të treguar edhe njëherë aftësitë e tij si teknik, pas dështimeve në njëpasnjëshme me Partizanin në vitet e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë