Komunitet

Ndryshime në polici, do të ngrihen 4 njësi speciale. Lleshaj cakton prioritetet

Policia e Shtetit pritet që këtë vit t’i nënshtrohet një riorganizimi që do të prekë shumë sektorë. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj sinjalizoi se do të ketë ndryshime strukturore më të rëndësishme sesa vitin e kaluar.

Ndryshimet parashikojnë ngritjen e katër njësive të reja të specializuara për katër fusha të ndryshme.

Njësia e parë, do të jetë “Njësia E”. Detyra kryesore e kësaj njësie do të jetë hetimi i krimit ekonomik. Për veçoritë e këtij krimi synohet që si pjesë e kësaj njësie të rekrutohen njerëz të specializuar e trajnuar që janë aktualisht në radhët e Policisë së Shtetit, por edhe të tjerë.

Njësia e dytë do të jetë “Njësia I”. Kjo njësi do të ketë rolin e një “shërbimi informativ” brenda radhës së Policisë së Shtetit. Ministri Lleshaj thotë se këtu kërkohet një ndryshim thelbësor, që rrjetet e informacionit të kthehen në rrjete profesionale.

Njësia e tretë është parashikuar “Njësia C”. Kjo njësi do të ketë për detyrë hetimin e krimit kibernetik. Lleshaj e cilëson të pamundur dhe të panevojshme që çdo drejtori vendore policie të jetë e pajisur me ekspertë kundër kësaj forme paligjshmërie, ndaj propozon ngritjen e një strukture qendrore të specializuar.

Njësia e katërt është “Njësia K”. Detyra e kësaj njësie do të jetë kapja e personave në kërkim, me prioritet emrat që vlerësohen me rrezikshmëri të lartë dhe që ndodhen edhe në listat e personave të shumëkërkuar të vendeve partnere. “Kjo njësi është prapë një strukturë e specializuar, e cila është një strukturë gjahtarësh që do të ketë detyrë kapjen e personave të listës prioritare”, deklaroi Lleshaj.

Mbledhja e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj me drejtuesit e policisë në 12 qarqe. Gazeta Si, janar 2020

Në këtë takim u shpalosën edhe dy prioritetet e punës së Policisë së Shtetit për 2020. I pari lidhet me krimin e organizuar.

“Personat, që janë dënuar për veprimtari në fushën e krimit rë organizuar, të krimeve të rënda, të korrupsionit etj., pra janë disa nene të Kodit Penal, nëqoftëse janë dënuar për këto vepra, brenda apo jashtë shtetit, që janë hetuar apo janë proceduar për këto vepra, nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit, Policia ka detyrën t’i shkojë dhe t’i trokasë në derë, t’i thotë: – ti ke bërë 10 vjet (burg) për trafik droge? Po. Ke dhe këtë hotelin këtu. Tani, hoteli sekuestrohet, i vihet shiriti dhe ti shkon në gjykatë dhe provoje që është i yti”, deklaroi Lleshaj.

Prioriteti i dytë lidhet me sigurinë rrugore. Ministri i Brendshëm paralajmëroi ndërhyrje në Kodin Rrugor për ashpërsimin e masave.

“Siguria rrugore na vret më shumë njerëz se sa krimi i organizuar. Jo më shumë, por 5 herë më shumë. Çfarë do të bëjmë? Do të ndryshojmë Kodin Rrugor, do të ashpërsojmë masat, do të ashpërsojmë kontrollet, do të modernizojmë kontrollet, do të luftojmë fort për integritetin e punonjësve. Pra do të punojmë në të gjitha drejtimet, do të punojmë shumë për edukimin e qytetarëve nëpërmjet medias, përmes shkollës, përmes aktiviteteve të tjera”, deklaroi ministri Lleshaj.

Njoftimin e ngritjes së këtyre njësive dhe të shpalosjes së prioriteteve për 2020, ministri i Brendshëm e bëri gjatë analizës vjetore me drejtuesit e 12 drejtorive të policisë nëpër qarqe. Në krah të Lleshajt, në këtë takim ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, për të cilin në korridoret e Ministrisë së Brendshem janë shtuar zërat që flasin për një largim të tij.

 

Më Shumë