Kombetarja

Ndryshime në listat e Kombëtares dhe Shpresave, Reja thërret Çekiçin

Kuqezinjtë nisin sot grumbullimin për ndeshjet e Ligës së Kombeve me Bjellorusinë dhe Lituaninë. Trajneri Edi Reja e publikoi listët të shtunën gjatë konferencës për shtyp, por ashtu siç ai e pranoi edhe vetë, do të kishte ndryshime për shkak të situatës me lojtarë të ndryshëm që kanë vështirësi për të ardhur në Shqipëri nga vendet ku luajnë.

Ermir Lenjani dhe Florian Kamberi nuk lejohen të dalin nga Zvicra për shkak të masave kufizuese nga pandemia, megjithatë vazhdojnë përpjekjet nga ana e FSHF-së, që ka kërkuar edhe ndihmën e UEFA-s, që këta dy lojtarë t’i bashkohen ekipit. Trajneri Reja, për t’i paraprirë situatës, ka shtuar në listë Endri Çekiçin, sulmuesin anësor që luan me Olimpija Ljubljanën në Slloveni dhe që në ndeshjen e fundit shënoi me penallti. Edhe Marash Kumbulla do të grumbullohet, por për të do të vendoset pas testeve mjekësore, pasi ai ka pësuar një dëmtim.

Endri Çekiçi me fanellën e Olimpija Ljubjanës. Gazeta Si, 30 gusht 2020

Ndryshime në listë ka bërë edhe trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi. Jon Mersinaj nuk mund të grumbullohet, sepse nuk lejohet nga klubi të lëvizë jashtë Kroacisë, ngaqë sapo ka përfunduar karantinën dhe është jashtë forme. Situatë e njëjtë edhe për Enis Çokajn. Do të mungojë edhe sulmuesi Albion Ademin, që nuk lejohet të lëvizë jashtë Finlandës, kurse Julian Shehu i Laçit është i dëmtuar.

Në vend të tyre trajneri bushi ka marrë Kristjan Asllanin e Empolit, Albion Markun e Laçit, Serxhio Ujkën dhe Andi Handrojn e Bylisit. Shpresat luajnë ndaj Austrisë më 4 shtator në transfertë dhe më 8 shtator në “Elbasan Arena” ndaj Andorrës.

Lista e re e Kombëtares U-21. Gazeta Si, 30 gusht 2020

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë