Ekonomi

Ndryshime në buxhet, miliarda lekë shtesë për projekte, rindërtimin dhe fermerët

Nga Gazeta ‘SI’ - Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete ka njoftuar se Këshilli i ministrave ka miratuar disa ndryshime në buxhetin 2023, ku parashikohet rritja e të ardhurave me 7.5 mld lekë.

Sipas ministrit, do të ketë një rishpërndarje fondesh në disa drejtime, përfshirë 46 mld lekë për përshpejtimin e projekteve, 12 mld lekë për rindërtimin dhe 1.8 mld lekë për skemën e naftës dhe mbështetjen e fermerëve.

“Parashikohet një shtesë për fondin e ish-të përndjekurve politikë, me synim përshpejtimin e pagesave për këtë kategori përfituesish.

Akti normativ mbështet gjithashtu projektet në infrastrukturë, kryesisht në rrugë, ujësjellësa dhe kanalizime.  Ndërkohë, parametrat makro-fiskalë vazhdojnë të synojnë uljen e borxhit publik, duke mbajtur të pandryshuar defiçitin buxhetor” sqaroi ministri i Financave.

Në konferencën pas mbledhjes së qeverisë, ministri Mete tha se suficiti i lartë ka rezultuar i tillë nga performanca e mirë e të ardhurave.

Pyetur për projektligjin e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet, ministri tha se nuk ka një vlerë sa do të jetë pagesa vjetore nga qytetarët, por po punohet për një çmim sa më të përballueshëm.

“Vlera do të përllogaritet dhe do të detajohet me VKM. Sa më e gjerë të jetë shtrirja aq më i mbushur është fondi, që mund të përballojë rrezikun”, tha Mete.

Lidhur me lajmin se Shqipëria është tërhequr nga ideja e Amnistisë Fiskale, ministri tha se ka patur diskutime, por nuk dha detaje të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë