Vendimi është marrë nga të gjithë faktorët në Francë. Të gjithë janë në një linjë me protokollin e luftës kundër diskriminimit të kërkuar nga Liga, Federata Franceze e Futbollit dhe Ministria e Sporteve.
Bëhet fjalë për një ndryshim epokal, të paktën për standardet gjuhësore të sjelljes në stadiume. Ka filluar faza e tolerancës zero ndaj homofobisë dhe masat ndëshkuese do të jenë shumë të rrepta. Edhe një sharje e thjeshtë nga tifozët ultras mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë skuadrës së zemrës. Të shtunën, arbitri Mokhtari e ndërpreu për disa minuta ndeshjen Nansi-Lë Havrë, për shkak të koreve homofobe të ultrasve vendës. Një vendim i marrë sipas rregullit të ri, që është pjesë e planit të luftës kundër diskriminimit. Ndeshja e kategorisë së dytë franceze më pas nisi me qetësi.
![](https://gazetasi.al/wp-content/uploads/2019/08/fans.jpg)
Por edhe sharjet në kor “Paris, Paris On t’encule” (Paris, Paris, shko q**), që u dëgjuan në ndeshjen Renë-PSG, janë bërë pjesë e raportit të delegatit të ndeshjes. Janë sharje që dëgjohen rëndom në stadiumet franceze, por që tani e tutje nuk do të tolerohen. Arbitri në këtë rast nuk e ndali ndeshjen, por këto sharje të tifozëve të Renë do të analizohen nga komisioni disiplinor i Ligës, që ashtu si për tymueset dhe ofendimet raciste, do të vendosë gjoba dhe mund të urdhërojë edhe mbylljen e një sektori të stadiumit. Episode të ngjashme, sipas “Le Parisien”, janë parë edhe në Nims, Bordo, Tuluzë dhe Lens.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.