Politike

Ndryshe nga vija zyrtare, Majko: Mund të fitojmë, por edhe jo zgjedhjet, ata që na kanë votuar janë mërzitur

Pandeli Majko është zëri i parë nga PS-ja dhe jo pa peshë për nga rëndësia e figurës që përfaqëson, që ka folur me “këmbë në tokë” për atë që po ndodh gjatë fushatës brenda PS.

Ndryshe nga çdo zë tjetër me peshë në PS, Majko, që ka filluar fushatën herët në Tiranë dhe ethshëm edhe për faktin se renditet në “vijën  e zjarrit” në listë, është shprehur se elektorati i majtë mund të jetë i mërzitur nga qeverisja e majtë.        

I ftuar në A2 CNN ministri i Diasporës ka folur për vendimin se pse ‘të vjetrit’ e selisë rozë janë vendosur nga kryeministri Rama në ‘vijën e zjarrit’ të listave.

Majko ka theksuar se PS mund t’i fitojë zgjedhjet, por edhe e kundërta. Vetë ai, nëse nuk siguron mandatin e 19-të për Tiranën, pas zgjedhjeve të 25 Prillit, do të shfaqet në studiot televizive si analist politik.

“Ne po shqetësohemi për njerëzit që na kanë votuar, por që për shumë arsye mund të jenë të mërzitur. Kjo është arsyeja që unë bashkë me kolegët e mi jemi vendosur te vija e zjarrit. Te vija e zjarrit mund të shikosh edhe greminën.

Ne mund t’i fitojmë zgjedhjet, por edhe mund të mos i fitojmë zgjedhjet dhe ju nesër mund të më ftoni si një analist politik, jo si një deputet i kuvendit të Shqipërisë. Nuk po bëj shaka, përkundrazi po bëj aplikim që tani”, tha Majko në A2 CNN.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë