Kombetarja

Ndoj dhe Uzuni optimistë: Konkurrenca na bën mirë, japim 100%

Emanuele Ndoj dhe Myrto Uzuni janë dy lojtarët e parë që kanë dalë para gazetarëve përpara ndeshjeve me Andorrën dhe Francën, që luhen më 14 dhe 17 nëntor, përktësisht në “Elbasan Arena” dhe “Air Albania”. Janë dy lojtarë të rikthyer te kuqezinjtë, i pari i lënë jashtë më parë për shkak dëmtimi, kurse i dyti për zgjedhje teknike të trajnerit Reja. Janë të lumtur për rikthimin në Kombëtare dhe që të dy vlerëojnë konkurrencën që është krijuar në ekip. Ndoj dhe Uzuni i presin plot besim dy ndeshjet e fundit eliminatore, duke u përqendruar së pari tek Andorra.

Emanuele Ndoj. Gazeta Si, 11 nëntor 2019

“Kthehem nga një dëmtim, që më ka mbajtur 3 muaj jashtë. Jam stërvitur mirë dhe kam luajtur në dy ndeshjet e fundit me Breshian në Serinë A. Kam luajtur 70 minuta, por të shohim në stërvitje dhe është trajneri ai që vendos. Sigurisht që më ka munguar Kombëtarja. Konkurrenca? Po, në ekip kemi lojtarë shumë të fortë, i pashë në ndeshjet e fundit. Na bën mirë të gjithëve, sepse na motivon më shumë që të japim 100% për fanellën e Kombëtares. Tani jemi të përqendruar te ndeshja e parë me Andorrën, ku duhet të fitojmë patjetër. Jemi lojtarë të Kombëtares dhe nuk mund të nënvlerësojmë. Do të ishte mirë të kemi tifozë në këtë ndeshje. Kemi nevojë për ta në Elbasan, pastaj të shohim për Francën”, - theksoi mes të tjerash mesfushori Emanuele Ndoj.

Myrto Uzuni. Gazeta Si, 11 nëntor 2019

Sulmuesi beratas, Myrto Uzuni, në formë të mirë këto javët e fundit, gjatë konferencës është shprehur: “Në kombëtare është ndryshe, ke më shumë besim në vetvete dhe ndihesh krenar. E prisja ftesën kuqezi. Kam dhënë asiste dhe kam shënuar me ekipin tim në Kroaci, ku luaj gjithmonë titullar. Patjetër që dua të luaj edhe në Kombëtare, por më parë duhet të bind trajnerin. Jam i lumtur që u ktheva, mjafton të jem në listë. Konkurrenca i bën mirë ekipit dhe të gjithë japim maksimumin. E rëndësishme është të fitojmë dhe të gëzojmë tifozët. Asnjë ndeshje nuk mund ta nënvlerësojmë, pasi jemi profesionistë. Besoj se tifozët do të na ndihmojnë për më të mirën në këto dy ndeshje”. Uzuni mungoi në Kombëtare në dy ndeshjet e fundit me Turqinë dhe Moldavinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë