Futboll

Ndikimi i Ronaldos, Juventus vihet në ndjekje të Feliks

Dështimi në Ligën e Kampionëve edhe këtë herë, ka sjellë një fazë refleksioni dhe dëshire për revolucion te Juventus. Do të jetë një verë e nxehtë me një merkato që parashikon të çojë shumë yje të futbollit botëror në Torino, por edhe talente të së ardhmes. Një nga më të përfolurit dhe që po fillon të cilësohet si “Ronaldo i ri” i Portugalisë, është Zhoao Feliks.

19-vjeçari ka shkëlqyer këtë sezon me Benfikën dhe tripleta në Europa League ishte vetëm “qershia mbi tortë”. Ky shpërthim i talentit portugez ka zgjuar interesin e disa prej klubeve më të mëdha në Europë, mes të cilave edhe Juventusit. Torinezët duke shfrytëzuar impaktin e Ronaldos në ekip do të tentojnë ta bindin Feliks që hapin e madh në karrierë ta nisë pikërisht me fanellën bardhezi. Flitet për një shumë që mund t’i kalojë 60 milionë euro. Por ndryshe nga viti i shkuar, këtë herë presidenti Andrea Anjeli nuk ka ndërmend të kursehet dhe dëshiron me çdo kusht në palmarësin e tij edhe një kupë të Champions League.

Mediet portugeze shkruajnë se pas interesimit të Juventusit, Mançester Siti dhe PSG kanë kaluar në plan të dytë për momentin edhe pse gara për shërbimet e talentit 19-vjeçar pritet të jetë shumë e ashpër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë