Futboll

Ndihmoi Eriksenin, çmimi ‘Astori’ për Simon Kajer: I lumtur të nderoj emrin e tij

Gazeta Si - Pas dy muajsh mbushet një vit nga Danimarkë-Finlandë e Euro 2020, ndeshja që la shenjë me një ‘para’ dhe një ‘pas’ në jetën e Kristian Eriksenit. Dhe nëse ka një ‘pas’ për mesfushorin danez që tani luan për Brentfordin, është meritë edhe e Simon Kjaerit, i pari që e ndihmoi pas atij kolapsi. Ai gjest ka bërë që mbrojtësi i Milanit të fitojë çmimin “Hall of Fame” të futbollit italian dedikuar Astorit.

"E kujtoj Daviden në fushë dhe natyrisht fundin tragjik të tij. Pioli më ka folur shumë. Është diçka që ende i trishton të gjithë dhe do të jetë kështu gjithmonë. Për mua kjo është një mundësi për të nderuar emrin e tij”, - ka thënë futbollisti danez për vlerësimin.

Simon Kjaer qetëson bashkëshorten e Eriksenit. Gazeta Si, 12 prill 2022

Kjaer ka folur edhe për atë pasdite të 12 qershorit: "Disa gjëra, disa momente të asaj dite do të mbeten me mua përgjithmonë. Duhet të pranoj se e kam mbyllur atë kapitull dhe nuk kam dëshirë të flas akoma. Vetëm sot kam vendosur ta hap atë kapitull dhe të flas këtu, me vlerësim për federatën italiane dhe të tregoj respektin tim ndaj Davide Astorit".

Mbrojtësi danez, që po rikuperohet pas dëmtimit në gju, ka shtuar: "Kur po vrapoja drejt Kristianit nuk e kisha idenë çfarë kishte ndodhur, ashtu si dhe shokët e mi të skuadrës. As që e mendonim arrestin kardiak. E vetmja gjë që mendoja ishte të shkoja sa më parë tek ai dhe ta ndihmoja. Kjo është më e rëndësishmja, nëse sheh diçka që nuk shkon, duhet të reagosh dhe duhet ta bësh sa më shpejt".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë