Kombetarja

Ndihmësi i Rejas, Porrini: Projekt preciz për një Shqipëri në nivel të lartë

Serxho Porrini, ndihmës i trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë, Edi Reja, ka folur për “Gazzetta dello Sport” për përvojën kuqezi. Ish-lojtari i Juventusit dhe Atalantës në Serinë A, pasi flet për këto dy skuadra, tregon edhe projektin me Shqipërinë, duke theksuar se objektivi është për një skuadër protagoniste, pasi ajo i ka të gjitha kapacitetet.

Ndihmëstrajneri kuqezi prek së pari situatën delikate që po jeton e gjithë bota dhe veçanërisht Italia: “Jetoj në Krema, në një nga zonat më të goditura nga virusi. Për fat të mirë, jam mirë me shëndet. Është një moment shumë i vështirë, një situatë e rëndë, sepse çdo marrëdhënie është ndërprerë”, - thotë Porrini.

Trajneri i Kombëtares, Reja, dhe ndihmësi i tij Porrini. Gazeta Si, 11 prill 2020

Pastaj ish-mbrojtësi tregon eksperiencën shqiptare: “Jam ndihmës i trajnerit Reja te Shqipëria, kemi rinovuar kontratën, është një projekt i bukur për ta çuar kombëtaren shqiptare në nivele të rëndësishme. Pas Europianit të 2016-ës perspektiva ka ndryshuar, është investuar shumë dhe projekti bazohet në dëshirën e rritjes. Është një projekt preciz për të qenë në nivele të larta.

Shqipëria ka pasur rritje, sidomos në lojën mbrojtëse. Kemi mbrojtës mjaft interesantë si Kastriot Dermaku, Marash Kumbulla dhe Berat Gjimshiti, përveç portierëve Etrit Berisha dhe Tomas Strakosha. Të kemi lojtarë në kampionatet kryesore është e rëndësishme për projektin tonë. Shpresat janë që të formojmë një grup të aftë për të qëndruar lart për një kohë të gjatë, për të evituar faktin që Euro 2016 të mbetet i izoluar.

Modeli ynë në këtë pikëpamje është Irlanda, që ka arritur të ketë hapësirën e saj në Europë vitet e fundit. Ka entuziazëm nga të gjithë dhe detyra jonë tani është të zbulojmë talente të reja”, - është shprehur pjesëtari i stafit te Reja në kombëtaren kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë