Futboll

Ndëshkohet Mesi, pezullohet 3 muaj me Argjentinën dhe gjobë 50 mijë $

Akuzat e ashpra dhe sjellja aspak normale e Lionel Mesit në gjysmëfinalen e Copa America nuk janë toleruar nga Konfederata Amerikano Jugore e Futbollit. Kapiteni i Argjentinës është pezulluar nga futbolli ndërkombëtar për tre muaj pasi pretendoi se Copa America ishte kompeticion i korruptuar.

Futbollisti i Barcelonës, u dënua me karton të kuq në fitoren 2-1 të Argjentinës ndaj Kilit në play-off për vendin e tretë dhe më vonë tha se "kupa ishte e fiksuar për Brazilin".

Ai gjithashtu është gjobitur me 50,000 dollarë nga Conmebol, Konfederata e Futbollit të Amerikës së Jugut. Mesi ka shtatë ditë për të apeluar vendimin e Conmebol për pezullimin e tij.

Pezullimi do të thotë që Mesi do të humbasë ndeshjet miqësore të Argjentinës kundër Kilit, Meksikës dhe Gjermanisë në shtator dhe tetor. Fushata kualifikuese e Argjentinës për Kupën e Botës 2022 fillon në Mars 2020.

Pas humbjes në gjysmëfinale të Argjentinës me rezultat 2-0 nga Brazili, Federata Argjentinase e Futbollit u ankua për "gabime serioze dhe të ashpra të arbitrave". Si përgjigje, Conmebol tha se akuzat që vinin në dyshim integritetin e Copa America ishin "të pabaza" dhe "përfaqësojnë një mungesë respekti".

Lionel Mesi u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 37-të kundër Kilit, pas një përplasjeje me Gary Medel. "Ne nuk kemi pse të jemi pjesë e kësaj korrupsioni," tha Mesi. "Ata na kanë treguar mungesë respekti gjatë gjithë këtij turneu. Mjerisht, korrupsioni dhe gjyqtarët nuk lejojnë që njerëzit të shijojnë futbollin, ata e shkatërruan atë pak futboll këtu."


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë