Kombetarja

Ndeshja me Kosovën, Bushi: Ata nuk janë më të mirë se ne!

Shqipëria U-21 pret nesër Kosovën U-21. Nuk është një miqësore, por një ndeshje zyrtare, e vlefshme për eliminatoret e Europianit 2021. Shqipëria dhe Kosova bëjnë pjesë në Grupin 3, bashkë me Austrinë, Turqinë, Anglinë dhe Andorrën. Trajneri i Shpresave kuqezi, Alban Bushi, ka folur në konferencë shtypi bashkë me kapitenin Sherif Kallaku për këtë ndeshje, që luhet nesër në “Elbasan Arena”, në orën 19:00. Kosovarët janë në pozita më të mira në grup, kanë 6 pikë pas 3 ndeshjesh, kurse Shqipëria ka vetëm 2 pikë pas 4 ndeshjesh. Bushi ka theksuar se të tijtë do të luajnë për të arritur fitoren e parë.

“Nuk ka asnjë lloj ndjesie ndryshe, është thjesht një ndeshje radhe. Kemi pasur shumë ditë në dispozicion ta përgatisim ndeshjen dhe synojmë të fitojmë. Është ndeshje e fortë, sepse Kosova ka lojtarë shumë të mirë, ka më shumë pikë, por nuk do të thotë se ata janë më të mirë se ne. Pres një ndeshje shumë të luftuar nga ekipi, jam i sigurt për këtë. Mbështetja e tifozëve do të jetë maksimale për ta mundur Kosovën. Është e rëndësishme të japim maksimumin dhe të dalim me kokën lart, në futboll janë të tre rezultatet. Është pozitiv fakti që kanë shkuar lojtarë tek ekipi A, pasi tregon se po punohet mirë. Shumë lojtarë vijnë nga poshtë, ne i aktivizojmë dhe i bëjmë gati për ekipin A, por kjo na prish edhe ekuilibrat. Me Austrinë patëm 8 mungesa, por e rëndësishme është që Kombëtarja e madhe të jetë e fortë, si në Turqi.

Kombëtarja U-21 feston një gol në miqësore. Gazeta Si, 14 tetor 2019

Reja mund të marrë çdo lojtar që do, sepse ky është misioni ynë. Edhe rezultatet duhen. Broja është lojtar i perspektivës, me moshë më të vogël në krahasim me ekipin aktual. Do të bëhet lojtar shumë i mirë, ndaj edhe e kemi aktivizuar. Kam besim se do të ecë shumë, është e ardhmja e sulmit. Duhet që të gjithë të bëjnë maksimumin që të fitojmë, jo se kemi Kosovën përballë. Djemtë meritojnë të fitojnë, pasi kanë bërë lojëra të bukura dhe kanë qenë pa fat. E kemi pësuar edhe për gabime tonat. Ndeshja me Kosovën do jetë krejt tjetër”, - ka theksuar mes të tjerash trajneri Bushi.

Sherif Kallaku, kapiteni i kuqezinjve të vegjël, për ndeshjen e nesërme, u shpreh: “Nuk kam formën optimale, sepse vij nga një dëmtim, gjithsesi ndihem shumë mirë. Kosova? Ata kanë më shumë pikë, por ne kemi më shumë kualitet. Kemi punuar që ta përballojmë këtë ndeshje, që duhet parë thjesht si ndeshje radhe, ku duhet të marrim tri pikët. Normalisht, mund të quhet ndeshje vëllazërore, por është kualifikuese dhe kemi detyrim tri pikët. Duam të fitojmë këtë derbi. Jemi vëllezër, por kjo nuk vlen për 90 minuta, pas ndeshjes rrimë bashkë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë