Kombetarja

Ndeshja me Çekinë, trajneri Reja pret një skuadër ndryshe në sulm

Shqipëria luan nesër në Pragë miqësoren e dytë brenda pak ditëve. Pas barazimit 0-0 në Uells, kuqezinjtë do të testojnë veten ndaj një ekipi tjetër të fortë në transfertë, duke bërë kështu provat para sfidave të shtatorit.
Trajneri Reja doli në konferencë shtypi me mbrojtësin Berat Gjimshiti, i cili duket se do të mbajë shiritin e kapitenit. Italiani bëri së pari një analizë të kundërshtarit dhe më pas theksoi se pret më shumë nga skuadra në lojën sulmuese.

“Vijmë pas një ndeshje të lodhshme me Uellsin dhe duhet të bëja vlerësimet e mia për grupin që kam. Ishte një ndeshje impenjative, lojtarët shpenzuan shumë energji. Mendoj se Çekia është në një nivel me Uellsin, ka lojtarë shumë të shpejtë dhe që luajnë shumë mirë në kundërsulm, nuk humbasin aspak kohë. Luan shumë mirë edhe me topat e gjatë, di të shfrytëzojë shumë mirë hapësirat.

Sigurisht, presim të përmirësohemi në këtë ndeshje, sidomos në sulm. Duhet të jemi më të zotë në kundërsulm. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për faktin që mbrojtja është repart i konsoliduar dhe ka bërë shumë mirë, por duhet të bëjmë përmirësime në fazën sulmuese. Kjo ndeshje është vërtet një test për ne, do të provojmë sa më shumë në sulm, të krijojmë sa më shumë raste.

Në miqësore, sidomos në këtë moment, skuadrat bëjnë fazën kualuduese fizike përpara Europianit. Çekia është një kundërshtar shumë i fortë, me lojtarë shumë të aftë në sulm. Uellsi dhe Çekia mund të jenë surprizë në këto finale dhe mendoj se duhen respektuar. Sulmi nesër? Do ketë ndryshime, por nuk kam vendosur se cilët lojtarë do të hedh në sulm. Edhe në mesfushë mbase do kem ndonjë ndryshim. Patjetër që në pjesën e dytë do ketë ndryshime në formacion”, - tha Reja në konferencë.

Berat Gjimshiti. Gazeta Si, 7 qershor 2021

Gjimshiti: Grintën e kemi në vena, na jep siguri
Brojtësi Berat Gjimshiti, një nga titullarët më të rëndësishëm të Kombëtares, për ndeshjen e nesërme u shpreh shkurtimisht: “Vendos trajneri kush do luajë në treshen e mbrojtjes, por ai që do luajë, do të jetë 100% në formë dhe do japë maksimumin. Çekia ka cilësi në sulm dhe duhet të jemi të përqëndruar.

Në stërvitje merr vetëbesimin çdo lojtar, pastaj futbolli nuk është i njëjtë, si luaj tek Atalanta, si këtu, sepse çdo lojtar ka stilin e tij të lojës. Besoj që grinta na jep sigurinë në fushë, është edhe në venat tona si shqiptarë që të japim maksimumin në fushë”.

Kuqezinjtë zhvilluan stërvitjen e fundit sot pasdite në stadiumin “Generali Česká pojišťovna Arena” të Pragës, ku do të luhet ndeshja me Çekinë, në orën 20:15. Të gjithë lojtarët kanë marrë pjesë në stërvitje dhe janë të gatshëm për trajnerin Reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë