Kombetarja

Ndeshja me Çekinë, FSHF sqaron: Mbingarkesë për biletat, tifogrupet i kanë të rezervuara

Gazeta Si – Çështja e biletave për ndeshjen nme Çekinë, shumë e rëndësishme në lidhje me objektivin e kualifikimit në Euro 2024, ka marrë vëmendje të madhe ditët e fundit. Interesimi është shumë i madh dhe sistemi i blerjes së biletave online ra disa herë sapo ato dolën në shitje.

FSHF ka shpërndarë sot një deklaratë zyrtare në lidhje me këtë çështje, ku sqaron situatën. Pranohet në këtë deklaratë mbingarkesa dhe rënia e sistemit, por saktësohet se gjithçka është në rregull me veprimet e ndjekura dhe se biletat e tifozërive të organizuara kuqezi janë të rezervuara.

Deklarata e FSHF-së
Takimi i radhës, Shqipëri-Çeki, që do të zhvillohet në “Air Albania”, më datë 12 tetor, është padiskutim me interes shumë të lartë nga publiku shqiptar që jeton brenda dhe jashtë Shqipërisë. Këtë sezon kualifikues për shitjen e biletave, FSHF ka vendosur në dispozicion të publikut portalin ebileta.al, me të vetmin qëllim që sportdashësit ta kenë sa më të lehtë rezervimin dhe blerjen e tyre.

Për këtë ndeshje kemi ndjekur të njëjtat procedura dhe rregulla, si me Moldavinë dhe Poloninë, ku secili aplikant mund të blejë jo më shumë se 4 bileta. FSHF ka njoftuar fillimin e procesit ditën e premte, datë 15 shtator. Për arsye të mbingarkesës dhe radhës së madhe të aplikantëve, sistemi ka pasur disa herë rënie, që janë stabilizuar dhe shitja ka filluar në orën 21.15 siç është njoftuar në kanalet tona zyrtare të komunikimit.

Në portalin e biletarisë dhe në faqen zyrtare të Federatës kanë qënë mbi 300 mijë persona ne pritje në orët para dhe gjatë shitjes së biletave. Biletat e nxjerra në shitje në një kohë rekord janë mbaruar.

Dëshirojmë të saktësojmë se biletat e kërkuara nga tifozeritë e organizuara që mbështesin ekipin kombëtar në ndeshjet brenda dhe jashtë vendit janë të rezervuara dhe u shpërndahen tifogrupeve, që bëjnë shpërndarjet për anëtarët e tyre.

Rastet e individëve që kanë bërë pagesa dhe nuk kanë arritur të marrin biletën nga portal i biletarisë janë zgjidhur të gjitha me sistemin banker, që ka kthyer mbrapsh të gjithë pagesat e kryera. Falenderojmë të gjithë tifozët për interesimin dhe kërkojmë të mirëkuptohemi nga ata për mosplotësimin e të gjithë kërkesave të tyre. Çdo stadium i ndërtuar do të ishte i pamjaftueshëm për të përmbushur kërkesat për këtë ndeshje.

FSHF uron të kemi rezultat pozitiv në këtë ndeshje të rëndësishme në rrugëtimin drejt Kampionatit Europian dhe të gjithë sëbashku të festojmë sukseset e djemve kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë