Ekonomi

Ndërtimi dhe turizmi rritën ekonominë e Shqipërisë me 4% gjatë verës

Nga Gazeta ‘SI’ - Në tremujorin korrik-shtator 2022, ekonomia e Shqipërisë u rrit me 4.02% në raport vjetor, ndikuar më së shumti nga aktiviteti i tregtisë, transportit, akomodimit dhe shërbimet ushqimore, me 2 pikë përqindje rritje dhe ndërtimi me 1 pikë përqindje.

Ndërsa rritjen më të mëdha nga 2021-shi, sipas degëve e ka pësuar aktiviteti i arteve, argëtim dhe çlodhje me 40, ndjekur nga ai i pasurive të paluajtshme me 14%, ndjekur nga ndërtimi me 11% dhe tregtia, transporti, akomodimi me 10%.

Negativisht në rritjen ekonomike për këtë tremujor kontribuan aktivitetet e administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë me -0.38 pikë përqindje, industria, energjia dhe uji me -0.20 pikë përqindje.

Rritjen më të ulët e ka pasur aktiviteti bujqësore, me rritje vetëm 0.2%, ndërsa kontributi i administratës publike, shëndetësisë (-3.3%) dhe taksave neto(-1.8) në ekonomi ka rezultuar në rënie.

Por nga tremujori i dytë në atë të tretin të këtij viti, PBB-ja u rrit me 2.3%, ndikuar nga rritja e sektorit të ndërtimit me 5.6%, pasurive të paluajtshme dhe akomodimit e shërbimi, me 2.5% të dyja.

Aktiviteti i bujqësisë u shfaq me një rënie prej 0.06 %. Aktiviteti i industrisë, energjisë dhe ujit shënoi rënie prej 10.2 %.

Në raport vjetor 2021-2022, konsumi final i popullatës me peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi, u rrit me 8.1%, ndërsa ai i qeverisë ra me 3.55%.

Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks pësoi rritje me 7.12%. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 0.87%, ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 16.31%.

Sipas të dhënave të përshtatura sezonalisht, konsumi final i popullatës pësoi rritje me 1.62 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022. Konsumi final i qeverisë pësoi një rritje me 0.68 %. Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks shënoi një rënie me 0.20 %. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 0.23 %, ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 4.64 %.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë