Ekonomi

Ndërtimi dhe bujqësia me peshën më të madhe në ekonomi, por pagat janë më të ulëtat në rajon

Eurostat ka publikuar të dhënat për Vlerën e Shtuar Bruto sipas sektorëve në vendet e Europës për vitin 2019.

Për Shqipërinë, bujqësia kontribuoi me 21.1% Vlerë të Shtuar në ekonominë e vendit. Ndërkohë, për të gjithë vendet e BE-së, bujqësia kontribuoi vetëm me 1.8%. Në Serbi, bujqësia zuri vetëm 7.2 % të Vlerës së Shtuar, në Bosnjë 6.6%, në Maqedoni 9.3%, në Kosovë 9.5% dhe në Malin e Zi 7.9%

Gjithashtu, Eurostat vlerëson edhe sektorin e ndërtimit si një sektor që në Shqipëri ka kontribuuar me 9.9% në Vlerën e Shtuar të ekonomisë. Në BE ky sektor zuri vetëm 5.5%, ndërsa në Rajon niveli më i lartë i raportua në Kosovë 10.6% të Vlerës së Shtuar dhe niveli më i ulët Bosnjë, ku ndërtimi kontribuoi me 5%.

Sipas të dhënave zyrtare që i takojnë vitit 2019, paga mesatare në sektorin bujqësor në Shqipëri ishte 295 euro, ndërsa në Maqedoni ishte 497 euro, në Malin e Zi 854 euro, në Serbi 586 euro, në Bosnjë 632 euro dhe në Kosovë 346 euro.

Pagat që ofron sektori bujqësor në Shqipëri janë 50 për qind më të ulëta se mesatarja rajonale.

E njëjta ecuri është edhe për pagat në sektorin e ndërtimit, ku paga mesatare në vitin 2019 ishte 338 euro në Shqipëri ndërsa në Rajon mesatarja ishte rreth 600 euro.

Si në Shqipëri në Rajon dhe BE, Vlera e Shtuar e ekonomisë dominohet nga sektori i shërbimeve, por në Shqipëri ky sektor ka një kontribut me të ulët.

Në vend shërbimet zunë 55.7% të Vlerës së Shtuar në ekonomi gjatë vitit 2019, ndërsa në Serbi 62%, në Bosnjë 65.3%, në Maqedoninë e Veriut 63.6%, në Kosovë 57.9%, në Malin e Zi 72.3%, ndërsa në BE, 73%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë