Sociale

Ndërron jetë një pacient te Infektivi, 33 raste të reja me Covid-19 dhe 80 të shtruar

Ndërron jetë një pacient 62 vjeçar nga Tirana i cili ishte prej 10 ditësh i intubuar dhe nuk vuante nga asnjë sëmundje bashkëshoqëruese. Ndërkohë më herët autoritetet shëndetësor konfirmuan se gjatë 24 orëve të fundit janë shtuar 33 raste të reja me Covid-19 dhe gjithashtu janë rritur numrat e pacientëve në spitalin Infektiv. Eugena Tomini  bëri me dije se  në Spitalin Infektiv janë 80 të shtruar dhe 790 raste janë aktivë në të gjithë  vendin.

“Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 23 të prekur në Tiranë, 8 në Shkodër dhe nga 1 rast në Pogradec dhe Kamëz. Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 25 qytetarë, duke e çuar në 1159 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë janë aktualisht 792 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për vetëndërgjegjësim qytetarët, që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura: për të ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, për të ruajtur higjienën personale dhe për të mbajtur maskat kudo ku nuk respektohet dot distanca. Bizneset të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore. Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve” ka deklaruar më tej Tomini.

Më tej epidemiologia ka bërë me dije se qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat. Tomini shtoi se nëse kanë nevojë për informacion apo të komunikojnë me mjekun e familjes, të kontaktojnë në numrin 0800 40 40, në të kundërt nëse kanë shenja të sëmundjes të mos i neglizhojnë ato por të telefonojnë urgjencën kombëtare në numrin 127.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 366

 Durrës 150

Shkodër 133

Vlorë 54

Fier 37

Korçë 18

 Lezhë 14

Elbasan 10

Kukës 8

Gjirokastër 1

Berat 1


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë