Kombetarja

Ndërron jetë nga Covid-19 ish-trajneri i Kombëtares, kroati Oto Bariç

Ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare ish-trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Oto Bariç. Kroati i njohur, sipas “Vecernji.hr”, ishte prekur nga Covid-19 dhe ishte shtruar në spital prej disa ditësh, por nuk ka mundur ta kalojë situatën edhe për shkak të moshës.

Bariç është një nga emrat më të mëdhenj të futbollit kroat. Ai ka drejtuar shumë skuadra gjatë karrierës së tij, që e mbylli në stolin e Shqipërisë në periudhën 2006-2007. Në atë kohë Kombëtarja kuqezi ka zhvilluar disa ndeshje të mira, ku dora e Bariç është ndjerë jo pak në aspektin taktik. Ai ka drejtuar gjithashtu edhe kombëtaren e Kroacisë dhe atë austriake.

Në nivel klubesh, Oto Bariç ka drejtuar Shtutgartin në Gjermaqni, Rapidin e Vjenës dhe Shturm Gracin në Austri, Fenerbahçen në Turqi dhe shumë skuadra të tjera më pak të njohura.

Oto Bariç, kur drejtonte Shqipërinë. Gazeta Si, 13 dhjetor 2020

Duka: Bariç, një ekspert dhe mik
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka reaguar pas lajmit të ndarjes nga jeta të ish-trajnerit të Kombëtares, Oto Bariç. Ai ka bërë një postim në profilin e tij në Facebook, ku shprehet se Bariç ka qenë një nga trajnerët më të mirë që ka pasur Shqipëria.

“Mësova me trishtim lajmin për ndarjen nga jeta të ish-trajnerit të Shqipërisë dhe mikut tonë, Oto Bariç. Ai ka qenë një nga trajnerët më të mirë që ka patur Shqipëria. Padyshim një ekspert, por dhe një njeri shumë i mirë.

Koha që bashkëpunuam kur ai drejtoi kombëtaren e Shqipërisë, ka lënë mbresa dhe kujtime të pashlyera. Kam pasur gjithmonë vlerësimin maksimal për të. E kam thënë në shumë ambiente, por e them përsëri, kam mësuar shume nga bashkëpunimi me Oton në të gjitha këndvështrimet. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, Federatën Kroate të Futbollit dhe miqtë e tij të shumte. Gjithmonë i paharruar, Oto!”, – shkruan presidenti Duka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë