Sociale

Ndërron jetë mjeku Arjan Pushi, viktima e pestë nga COVID-19 që nga mbrëmë. 79 pacientë në Infektiv

Që nga mbrëmja e deri më tani kanë vdekur pesë persona nga Covid-19 në Spitalin Infektiv, duke e çuar numrin e vdekjeve në 63. Në mesin e personave që kanë ndërruar jetë ishte edhe mjeku hematolog Arjan Pushi, i cili ishte prej kohësh pedagog edhe në Fakultetin e Mjekësisë. Vdekja e mjekut Pushi është konfirmuar zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë.

Mjeku Pushi, 58 vjeç, mjek dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë, nuk vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Pushi ndërroi jetë pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor në Spitalin Infektiv. Prof. Arjan Pushi ka pasur një karrierë të spikatur në fushën e hematologjisë dhe ka përgatitur shumë breza studentësh të Mjekësisë.

Në një mesazh ngushëllues, dekani i Fakultetit të Mjekësisë Xhelal Draçini vlerëson se “profesori i nderuar ka dhënë një kontribut të çmuar për përparimin e specialitetit të Hematologjisë dhe mjekësisë bashkëkohore në vendin tonë. “Prof. Arjan Pushi lindi ne 30 korrik 1962 në qytetin e Beratit në një familje intelektuale me tradita qytetare dhe patriotike dhe përfundoi studimet e larta me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1987. Natyrshëm, Dr. Pushi filloi misionin e tij akademik si asistent-pedagog në fakultet dhe shkollën e specializimit në Hematologji. Pjesë e Shërbimit Universitar të Hematologjisë, Prof. Arian Pushin e shkëputi dhimbshëm nga pacientët dhe studentët e tij, vetëm sëmundja e rëndë dhe vdekja”, shkruan dekani Draçini.
Sipas tij, Profesori i ndjere bënte pjesë në brezin e dytë të hematologëve shqiptarë, të cilët populluan shërbimet universitare të specializuara në shërbimin spitalor kombëtar dhe në Fakultetin e Mjekësisë. Ai ishte autor i disa monografive dhe teksteve mësimore për hematologjinë; mjekësinë e përgjithshme dhe gjithashtu i dhjetëra artikujve, kumtesave dhe referimeve shkencore brenda dhe jashtë vendit.

Për vdekjen e tij reagoi edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

“Kjo është humbja e parë e jetës nga mantelbardhët tanë, të cilët prej disa muajsh po ndeshen në vijën e parë me këtë pandemi, që tregon se jo vetëm rreziku nuk ka kaluar, por çdo nënvlerësim do të jetë me pasoja tepër serioze për shëndetin, jetën dhe ekonominë.

Ndaj apeloj nevojën për të forcuar përqendrimin e të gjithë institucioneve për respektimin me rigorozitet nga të gjithë të protokolleve shëndetësore, si dhe përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të garantuar me përgjegjësi dhe transparencë të gjitha masat mbrojtëse për mjekët, infermierët dhe personelin e tyre mbështetës, të cilët rrezikojnë shëndetin e tyre për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve ne".

Ndërsa pacientët e tjerë ishin përkatësisht në moshat 44 vjeç nga Durrësi, 71 vjeç dhe 81 vjeç nga Tirana, me disa sëmundje bashkëshoqëruese.

Mjeka Flutura Beqo deklaroi se vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv, ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 69 raste të reja me Covid-19.

“Aktualisht në Spitalin Infektiv  po trajtohen 79 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 3 janë të intubuar. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 23 raste në Tiranë, nga 10 raste Durrës, Krujë, 6 në Vlorë, 5 në Mat, nga 4 raste në Kurbin, Kamëz, nga 2 raste në Shkodër, Fier, Kavajë, 1 në Lushnjë. Pavarësisht rasteve ditore të identifikuara pozitivë, lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 25 qytetarë, duke e çuar në 1459 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1014 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës,” shton Beqo.

Më tej mjekja ka bërë thirrje për qytetarët dhe bizneset të jenë strikt në respektimin e masave anti-Covid-19. Gjithashtu theksoi se qytetarët që kanë shenja duhet të telefonojnë menjëherë në numrin 127, ndërsa nëse kanë nevojë për informacion apo për të kontaktuar me mjekun e familjes të komunikojnë në numrin 0800 40 40 e të shmangin qendrat shëndetësore.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 370
Durrës 212
Shkodër 156
Vlorë 106
Fier 49
Lezhë 43
Korçë 28
Kukës 18
Elbasan 13
Gjirokastër 7
Berat 6
Dibër 6


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë