Kombetarja

Ndërprerja e ndeshjes bën bujë, reklama më e shëmtuar për “Air Albanian”

Incidenti i ndodhur në pjesën e dytë të ndeshjes Shqipëri-Poloni, që solli ndërprerjen e saj për gati 25 minuta, ka bërë bujë edhe në shtypin sportiv botëror. Gazetat prestigjoze sportive, si për shembull “Gazzetta dello Sport”, kanë shkruar për një situatë kaotike në Tiranë dhe kjo është sigurisht reklama më e shëmtuar për stadiumin tonë të ri, kur dihet që në 2022-shin ai do të presë finalen e Ligës së Konferencës.

Ishin vërtet imazhe shumë të shëmtuara ato që u shfaqën në minutën e 77-të të ndeshjes, sapo Polonia kaloi na avantazh. Një lumë shishesh plastike drejt lojtarëve miq dhe menjëherë arbitri francez ndërpreu ndeshjen, pasi kishte bërë më parë një paralajmërim për sjelljen e pahijshme të tifozëve me anë të spikerit të stadiumit. Një incident që duhej shmangur pikërisht në këtë sezon, kur “Air Albania” duhej të jepte shembullin e duhur se mund të mirëpresë një finale të një kompeticioni europian.

Artikulli i "Gazzetta dello Sport" per incidentin e ndeshjes me Polonine. Gazeta Si, 13 tetor 2021

Gjoba nga UEFA është e sigurt, por gjasat janë që të ketë edhe një dënim për ndeshje pa tifozë për kuqezinjtë dhe kjo do ta rëndojë edhe më shumë atë incident të shkaktuarnga një grup tifozësh, për të cilët është thënë se i përkisnin grupimit të “Plisave”. Një incident që e kaloi ndeshjen me Poloninë në plan të dytë dhe që tregoi qartë se masat organizative nuk janë ende në nivelin që kërkon UEFA.

Tani nuk mbetet gjë tjetër, veçse të priten masat e organizmit që drejton futbollin europian, por ajo çka ndodhi mbrëmjen e së martës ishte reklama më e keqe që mund t’i bënim vetes, në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar. Ngushëllimi i vetëm është që u luajtën edhe 13 minutat e mbetura dhe ndeshja nuk quhet e ndërprerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë