Shendet

Ndërhyrje e rrallë në zemër, mjekët në QSUT i shpëtojnë jetën 27-vjeçarit

Gazeta Si - Mjekët e shërbimit të Hemodinamikës kanë bërë një ndërhyrje të rrallë në zemër duke i shpëtuar jetën një 27-vjeçari në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Operacioni, i cili u finalizua me sukses, ka zgjatur për 5 orë, nën drejtimin e Dr.Ormir Shurdha, Dr. Mirald Gina, stafit të infermierëve të Hemodinamikës me kryeinfermiere Ledja Grrica, dhe ndihmën e veçantë për anestezinë të Dr. Saimir Kuçit.

Ajo që e bën të rrallë, është se kjo ndërhyrje kirurgjikale është realizuar për herë të parë në Shqipëri, ku të riut i është vendosur aparati CRT-D dhe një sondë subkutane për defibrilim kardiak.

Lajmi është ndarë nga kryeministri Edi Rama, i cili ka pasur edhe një falënderim të veçantë për mjekët që kanë marrë pjesë në operacion.

“Mjekët e shërbimit të Hemodinamikës në QSUT bëjnë mrekulli me një 27-vjeçar të cilit i shpëtojnë jetën, me një ndërhyrje të rrallë në zemër që zgjati 5 orë", - shkruan kryeministri.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu thotë se, “për herë të parë në Shqipëri u bë vendosja e aparatit CRT-D (terapi resinkronizimi dhe defibrilator i implantueshëm kardiak), si dhe vendosja e një sonde subkutane për defibrilim kardiak”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë