Kombetarja

Ndaj Francës duhen muskuj, Reja zgjedh “gladiatorët” e tij

Kampionët e botës mund të përballohen vetëm duke u prishur lojën, duke u mbrojtur me 11 lojtarë dhe duke goditur me ndonjë kundërsulm, apo me ndonjë goditje standarde, siç kemi bërë dy herë më parë ndaj tyre, kur kanë shënuar Kaçe dhe Mavraj, të dyja herët në miqësore. Mërgim Mavraj sot në mbrëmje do të ketë në krah shiritin e kapitenit dhe më shumë se për të shënuar, do të ketë detyrën e vështirë për të udhëhequr manovrën mbrojtëse të kuqezinjve.

Trajneri Edi Reja e di shumë mirë se është një nga ato ndeshje ku skuadrës i duhet të vuajë, edhe pse Franca vjen pa disa nga yjet e saj. Italiani e tha qartë se i duhen 11 “luanë” në fushë për të përballuar këtë kundërshtar. Ai e ka në mendje formacionin anti-Francë, për të cilin ka pasur nga një dilemë thuajse për çdo repart. Përjashtim bën vetëm mbrojtja, ku treshja Ismajli-Gjimshiti-Mavraj duket e sigurt. Strakosha apo Berisha? Do të zbulohet vetëm në momentin e fundit, pasi të dy janë në formë shumë të mirë. Strakosha ka avantazhin se luan me një ekip më të madh, ndërsa Berisha është për momentin në një formë më të mirë sportive.

Formacioni i mundshëm i Kombëtares sot ndaj Francës. Gazeta Si, 7 shtator 2019

Mbrojtja në fakt vazhdon edhe në mesfushë, ku Hysaj, një lojtar jo shumë i përshtatshëm për skemën 3-5-2 të Rejas, do të jetë në të djathtë me detyrën për të ndihmuar në të dyja fazat e lojës, mbrojtëse dhe sulmuese. Të njëjtën detyrë do të ketë në të majtë Egzon Binaku, një lojtar më mbrojtës se Lenjani, i cili pritet ta nisë nga stoli. Reja kërkon më shumë stabilitet prapa, ndërkohë që Lenjani mund t’i shërbejë më shumë për ndeshjen e së martës me Islandën. Për qendrën e mesfushës ka shumë alternativa. Emir Abrashi duket më i sigurti, ndërsa për dy vendet e tjera janë në garë Xhaka, Ramadani, Bare dhe Memushaj. Avantazh kanë Ramadani dhe Bare, dy lojtarë më të rinj në moshë dhe më të freskët fizikisht, por edhe përvoja dhe personaliteti i Xhakës është i nevojshëm në të tilla ndeshje.

Edi Reja, trajneri i Kombëtares. Gazeta Si, 7 shtator 2019

Edhe sulmi duhet të jetë muskuloz në “Stade de Francë” dhe për këtë qëllim është hedhur ideja për të luajtur me dyshen Balaj-Cikalleshi. Megjithatë, duket shumë e vështirë që trajneri Reja t’i konsumojë të dy qendërsulmuesit në të njëjtën ndeshje, kur dihet që pas tri ditësh është sfida delikate me Islandën, që duhet fituar patjetër. Nëse zbresin në fushë si Balaj, ashtu edhe Cikallehsi, kavajasi me shumë mundësi do të bërë rolin e 10-ës, pra do të jetë më i tërhequr, kurse shkodrani do të luajë më afër zonës. Gjasat më të mëdha janë që partner i Balajt të jetë Uzuni. Grezda nuk është grumbulluar, kurse Roshi mund të aktivizohet në pjesën e dytë sot dhe të luajë nga minuta e parë të martën. Sot në mbrëmje kuqezinjtë duhet të dinë të vuajnë, për t’u kthyer nga Franca me një pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë