Sociale

Ndahet nga jeta Kujtim Alija, simboli i festivaleve të këngës për fëmijë

Festivali i Këngës për Fëmijë në Shkodër nga sot nuk do të ketë pjesë të saj një nga figurat simbol, “Mjeshtrin e Madh”, dirigjentin, pedagogun dhe organizatorin e palodhur, Kujtim Alija.
Ai u nda sot nga jeta pas 1 viti betejë me sëmundjen, duke lënë një boshllëk të madh në jetën artistike të qytetit të Shkodrës, por jo vetëm, edhe të shqiptarëve që janë rritur me imazhin e tij teksa drejtonte artistikisht fëmijët, talentet e reja.
Alija u nda nga jeta në moshën 60-vjeçare, pasi nuk ia doli që të mposhte sëmundjen që po e mundonte prej muajsh.

Për lajmin e trishtë ka reaguar edhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.

"Dita e sotme ka nisur me një lajm shumë të trishtë! Mjeshtri i Madh Kujtim Alija është ndarë nga jeta! Një humbje e jashtëzakonshme për artin e kulturën shqiptare, për Shkodrën e Shqipërinë. Nuk gjej fjalë për të përshkruar këtë ikje shumë të parakohshme të mësuesit tim, të mësuesit të të gjithë fëmijëve, të mjeshtrit të madh Profesor Kujtim Alija. Pushofsh në paqe Mjeshtër i Madh, ngushllime familjes Alija për këtë humbje shumë të madhe", shkruan Ademi.
Për presidentin Ilir Meta, Alija ishte personalitet i shquar i muzikës shqiptare, shembull i intelektualit dhe qytetar model i Shkodrës.
"I trishtë lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të artistit të mirënjohur shkodran, Mjeshtrit të Madh Kujtim Alija, simbolit të Festivaleve të Këngës për Fëmijë. Personalitet i shquar i muzikës shqiptare, dirigjent virtuoz, edukator energjik dhe mësues i palodhur i shumë gjeneratave me vlerat e artit dhe kulturës kombëtare, zbulues i talenteve të rralla që do shkëlqenin në skenat vendase dhe botërore, shembull i intelektualit dhe qytetar model të Shkodrës, humbja e tij le pas shumë dhembje", shkruan presidenti Ilir Meta.

Kujtim Alija është një prej emrave me një kontribut të madh në muzikën shqiptare. Vinte nga një familje shkodrane intelektualësh, të cilët e donin arsimin dhe artin. Mbaroi Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, nën drejtimin e dirigjentit, Artistit të Popullit, Rifat Teqja, mbas shkollës së muzikës “Prenkë Jakova” të Shkodrës. Pas diplomimit filloi punën në qytetin e Shkodrës ku ka organizuar dhe drejtuar koncerte e veprimtari të ndryshme artistike si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, me Filarmoninë e Shkodrës, Orkestrën frymore si dhe formacionin e harqeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë