Futboll

Ndahet nga jeta ish-sulmuesi legjendar i Dinamos

Futbolli shqiptar në zi. Është ndarë nga jeta një nga legjendat më të mëdha të sportit shqiptar, Vasillaq Zëri. Ish-sulmuesi dinamovit ndërroi jetë gjatë ditës së premte pranë familjes së tij. Zëri është ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë prej së cilës vuante prej një kohë të gjatë.

Zëri është konsideruar si një nga sulmuesit më të mirë shqiptarë dhe një prej futbollistëve të plejadës së artë të Dinamos së viteve 70’. Vasillaq Zëri ka lënë shenjë në futbollin shqiptar në vitet 70-80 si një sulmues i shpejtë, teknik dhe shumë virtuoz, duke u cilësuar si një ndër më të shkëlqyerit e brezit të tij. Krahas ndeshjeve me ekipin kombëtar, mbresa kanë lënë ndeshjet e tij me Dinamon në Kupat e Europës kundër Ajaksit, Aberdenit dhe Carl Zeiss Jena. Përveç fushës së trajningut, Zëri ka dhënë një kontribut të veçantë në Federatën Shqiptare të Futbollit ku ka punuar për disa vite.

Vasillaq Zërit para disa vitesh i është akorduar edhe titulli “Nderi i Futbollit Shqiptar”, dhënë nga Federata Shqiptare e Futbollit. Pas la futbollin e luajtur, Zëri për disa vite ishte dhe trajner i ekipit kombëtar U-21.

Për ndarjen nga jeta të Zërit kanë reaguar kreu i FSHF-së Armando Duka dhe kryeministri Edi Rama. Në një mesazh të shpërndarë për mediet, Duka shpreh ngushëllimet e tij për familjen dhe shton se futbolli shqiptar humbi një personalitet shumë të madh.

“Të dashur miq të familjes tonë të madhe të futbollit, me hidhërim të thellë dëshiroj të ndaj me ju lajmin e trishtë se Vasillaq Zëri, një ish-sulmues i shkëlqyer, drejtues futbolli dhe mik i mirë, është ndarë nga jeta. Në këtë moment të vështirë për të gjithë ne, për familjen dhe miqtë e tij të shumtë, gjej rastin t’i shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. Kujtimet që na ka lënë, do të jenë të paharruara”, ka deklaruar Presidenti i FSHF-së Armand Duka, sapo ka mësuar lajmin e dhimbshëm.”- shkruan Duka.

Ndërsa kryeministri Rama e vlerëson si një nga më të mirët e futbollit tonë dhe ngushëllon familjarët e tij për humbjen e madhe.

https://www.facebook.com/edirama.al/photos/a.10151850199621523/10156411825346523/?type=3&theater

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë