Analize

NATO i hap derën Maqedonisë së Veriut pas 27 vitesh!

Pas 27 vitesh pritje, NATO ka hapur zyrtarisht dyert ditën e sotme për Maqedoninë e Veriut, një vendim historik që do t’i shërbeje si stabilitetit të vendin fqinj, ashtu edhe mbarë rajonit.

Ambasadorët e 29 vendeve anëtare të NATO nënshkruan Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut në Bruksel, duke përmbushur kështu edhe një nga premtimet më të mëdha të qeverisë socialdemokrate në vendin fqinj.

Ambasadori i Shqipërisë në NATO, Visho Ajazi Lika hodhi i pari firmën në këtë protokoll. Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Jens Stoltenberg deklaroi se ky është një moment historik për Maqedoninë e Veriut, por edhe për kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras.

“Kryeministrat kanë treguar guxim të madh me arritjen e Marrëveshjes së Prespës, duke dhënë kështu edhe një kontribut të madh të stabilitetin dhe sigurinë e rajonit”, deklaroi Stoltenberg.

Ambasadori i Shqipërisë në NATO, Visho Ajazi Lika

Maqedonia e Veriut do të jetë pjesë e aleancës Veri-Atlantike menjëherë pas kësaj ceremonie, por nuk do të bëhet menjëherë anëtare e plotfuqishme e NATO-s. Shkupi nuk do të ketë të drejtën të votojë dhe të marrë pjesë në marrjen e vendimet kyçe deri sa 29 parlamentet e vendeve të NATO-s të ratifikojnë protokollin e pranimit. Duke gjykuar nga përvojat e mëparshme, ky proces pritet të zgjasë nga një deri në dy vjet.

Menjëherë pas ceremonisë në Bruksel, erdhi edhe reagimi i kryeministrit Zaev, i cili e konsideroi hyrjen në NATO si një hap kyç për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Maqedonisë së Veriut.

“Kjo është një ditë e madhe historike për të gjithë qytetarët tanë. Sot, aleanca më e madhe e sigurisë në botë, NATO, na mirëpriti në mesin e saj. Sot ne u ulëm krah për krah me aleatët tanë, në të njëjtën tryezë, në të njëjtën aleancë”, deklaroi Zaev nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. “Jemi të lumtur dhe duhet të jemi, sepse kemi siguruar stabilitet të përhershëm për vendin tonë. Progresi dhe zhvillimi tani janë të pandalshme. . Le të jemi krenarë”, përfundoi kryeministri Zaev.

Vendi fqinj hyn në aleancë me një emër të ri, Republika e Maqedonisë Veriore, e cila u aprovua falë marrëveshjes historike, e ratifikuar nga Greqia disa javë më parë. Në atë që pritet të jetë një gjest kryesisht simbolik, qeveria greke pritet të jetë vendi i parë që do të ratifikojë protokollin e pranimit në NATO të Maqedonisë. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, qeveria e kryeministrit Alexis Tsipras deklaroi se do të ratifikojë hyrjen në aleancë të fqinjit të saj verior që këtë të premte.

Jens Stoltenberg dhe kryeministri Zoran Zaev

Greqia kishte kundërshtuar prej vitesh anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, por si pjesë e marrëveshjet se emrit, Athina ra dakord të heqë bllokadën e saj të gjatë, duke mos e izoluar kështu Maqedoninë nga Perëndimi.

Reagimi i parë nga Shqipëria erdhi nga ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili e konsideroi hyrjen e vendit fqinj në NATO si një triumf të vlerave perëndimore.

“Firmosja e protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO është dëshmi e triumfit të vlerave euro-atlantike në rajonin tonë. Vizioni dhe përkushtimi i dëshmuar përmes dialogut të dy fqinjëve tanë për tejkalimin e mosmarrëveshjes që mbajti pezull për gati 3 dekada perspektivën e integrimit euro-atlantik ia doli të lërë pas dasitë e së shkruarës dhe të projektojë një të ardhme më të sigurtë e begatë për rajonin, Europën dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut”, shkruan Buashati në rrjetin social Facebook. Po ashtu këtë ngjarje e përshëndetën edhe Presidenti Ilir Meta dhe Kryeparlamentari Gramoz Ruçi.

Edhe pse optimistët shpresojnë se ratifikimi në parlamentet e vendeve anëtarë të NATO-s do të vijë së shpejti, duke lejuar që Maqedonia të bëhet anëtare e plotë e Aleancës në samitin e korrikut, disa ekspertë janë më të kujdesshëm.

Disa kundërshtarë të marrëveshjes së emrit, si partia e vogël joparlamentare pro-ruse e Maqedonisë së Bashkuar, u kanë bërë thirrje anëtarëve të NATO-s, si Turqia dhe Hungaria të bllokojnë pranimin e vendit duke mos ratifikuar protokollin.

Kryeministri Zoran Zaev dhe Jens Stoltenberg

Marko Savković, Drejtor Programi i Fondit të Beogradit për Përsosmëri Politike, shprehet se hyrja e Shkupit në NATO sjell tre përfitime kryesore për vendin dhe rajonin. Sipas tij, duke u anëtarësuar në Aleancën Veri-Atlantike, Maqedonia do të siguronte kufijtë e saj dhe integriteti i Shkupit do të bëhet i padiskutueshëm. Përfitimi i dytë është sipas tij intensifikimi i bashkëpunimit rajonal për sigurinë. Savkoviq deklaron gjithashtu se pranimi i Maqedonisë në NATO do të ulte ndikimin e Rusisë dhe Turqisë në rajon. “Duhet të ndjekim shembujt e shteteve baltike, Europës Lindore dhe Qendrore, përndryshe Ballkani Perëndimor do të mbetet përgjithmonë periferia më e pazhvilluar e Europës”, thotë Savkoviç.

Analisti ushtarak Aleksandar Radiç thotë se Maqedonia ka dëshmuar të jetë një partner i qëndrueshëm i NATO-s dhe ka marrë pjesë në operacione në Irak dhe Afganistan më shumë se disa anëtarë të tjerë të aleancës ushtarake.

Sipas Radiç, tani që Maqedonia bëhet anëtari i 30-të i Aleancës, Bosnja dhe Hercegovina pothuajse me siguri do të bëhej e 31-ta, gjë që do të detyronte Serbinë të rishikojë edhe njëherë neutralitetin ushtarak të saj. “Për opinionin publik në Serbi, neutraliteti ushtarak shihet si mesazh kundra hyrjes në NATO” shprehet Radiç. Ai shtoi gjithashtu se situata e sigurisë në rajon do të ishte “më e parashikueshme” për shkak të mekanizmave efektiv të NATO-s për të parandaluar konfliktet.

Pas pranimit të Maqedonisë në NATO, të vetmet vendet në Ballkan jashtë NATO-s do të jenë Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia. Edhe pse anëtarët e presidencës së Bosnjës ishin unanim në lidhje me vendimin për tu bashkuar me Planin e Veprimit për Anëtarësim, kushtet e vendosura nga aleanca nuk janë përmbushur ende. Në mënyrë efektive, kjo do të thotë që të gjitha pronat e paluajtshme të mbrojtjes në vend duhet të regjistrohen si pronë shtetërore, për përdorim nga ministria e mbrojtjes. Ky kusht i ka dhënë udhëheqësve të Republika Srpska një justifikim për të penguar anëtarësimin në NATO. Përveç kësaj, në dhjetor të vitit të kaluar, Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska miratoi një rezolutë mbi mbrojtjen e neutralitetit ushtarak, duke e quajtur Serbinë si një partner me të cilin do të diskutohet i gjithë koordinimi lidhur me çështjen e anëtarësimit.

Por për sa i takon u perspektivave të NATO-s për Kosovën, Savkoviq argumentoi se krijimi i ushtrisë kombëtare do të sjellë mjaft pengesa në rrugën e Prishtinës drejt aleancës ushtarake, pasi transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës është kundërshtuar ashpër nga Serbia dhe përfaqësuesit politikë të pakicës serbe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë