Ekspozite

Natë me yje: Vizatimi i Van Gogh fshihet në Rusi

"Natë me yje", (1889) Vincent Van Gogh, Muzeu i Artit Modern, Nju Jork.

Vizatimi që Vincent van Gogh bëri për pikturën e tij legjendare “Natë me yje” (1889)  mbahet i fshehur në një vend sekret në Rusi. Kështu të paktën  pretendon një specialist i  pikturës së Van Gogh-ut. Vizatimi me bojë u vodh gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe mendohej i  humbur.

Bërë për të vëllanë, Theo  van Gogh , më 1889 –ën, vizatimi i Vincent-it i përkiste muzeut të artit, “Kunsthalle Bremen”,  prej  vitit 1918. Gjatë luftës së Dytë Botërore u transferua drejt një kështjelle,  ku më pas u plaçkit nga Ushtria e Kuqe, u vendos në një valixhe dhe u transportua me një traktor drejt Bashkimit Sovjetik.

Valixhja, në pronësi të  Victor Baldin-it,  një oficer i  Ushtrisë së Kuqe, kishte brenda edhe  363 vizatime të tjera, që përfshinin vepra të Albrecht Dürer, Paolo Veronese, Anthony van Dyck, Rembrandt, Giovanni Battista Tiepolo, Edgar Degas dhe Henri de Toulouse-Lautrec.

Baldin punoi pas lufte si kurator në Muzeun Rus të Arkitekturës  dhe i dorëzoi institucionit veprat e vjedhura, që të mund të ruheshin, në fshehtësi.

Veprat më të rëndësishme të Bremen-it ishit lëvizur fshehtas,  në mjediset e Muzeut Shtetëror “Hermitage”, ku edhe mbeten ende, sipas studiuesit të Van Gogh-ut,  Martin Bailey. Të gjitha ndodhitë e vizatimit “Natë me yje” rrëfehen me hollësi në librin e Bailey-it, “Natë me yje: Van Gogh-u në Çmendinë”, i cili sapo ka dalë në libraritë  botërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë