Gazeta Si - Më pak se një muaj pas arrestimit të tij për vrasjen e Fabrizio Piscitelli-t, i njohur si “Diabolik”, Raul Esteban Calderon u sulmua në burg nga tre të burgosur të tjerë, duke përfshirë narko-trafikantin shqiptar Dorian Petoku.
Ngjarja ka ndodhur në janar 2022, kur Petoku, i arrestuar në vitin 2019 në Shqipëri dhe i ekstraduar në Itali). vuante dënimin për trafik të lëndëve narkotike në Itali, para se të përfundonte në një qendër rehabilitimi dhe të arratisej prej andej pa lënë gjurmë.
LEXO EDHE:
- Përgjimet/ Psikiatri italian i mafies shqiptare! Plani i Elvis Demçes për të shmangur burgun dhe ryshfeti në qeli: U dhashë 3 mijë euro gardianëve
- U ekstradua nga Shqipëria, arratiset në Itali nga qendra e rehabilitimit bosi i narkotrafikut Dorian Petoku
Sulmi, sipas mediave italiane, u denoncua nga një kryeinspektor i policisë së burgjeve në Rebibbia (një qytezë e vogël pranë kryeqytetit), në dhomën-bunker, gjatë seancës gjyqësore për vrasjen e ish-kreut të tifozëve të Lacios, i ekzekutuar me një plumb në kokë më 7 gusht 2019 në një park në Romë. Argjentinasi akuzohet për vrasje me dashje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Dyshimet janë që Petoku, mik dhe bashkëpunëtor me “Diabolik” në trafikun e drogës, ka dashur t’i japë një mesazh hakmarrjeje vrasësit me të cilin ndodhej në të njëjtin burg.
Agresioni
Fillimisht kallëzimi, pastaj shikimi i pamjeve të sigurisë me video, bënë të mundur rindërtimin e asaj që ndodhi para dy vjetësh e gjysmë.
“Më 10 janar mora një raport nga një koleg për një ngjarje që kishte ndodhur një ditë më parë dhe që kishte prishur rendin, me disa të burgosur që ishin larguar me nxitim nga dhoma a ajrimit. Me fillimin e kontrolleve, u bë e mundur rindërtimi i sulmit të pësuar nga Calderon nga tre të burgosur duke parë pamjet e sistemit të vëzhgimit me video që rrethonte fushën e sportit, - shpjegoi drejtuesi i atëhershëm i njësisë operacionale të Sigurisë së Lartë, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve Rita Ceraso dhe Mario Palazzi. – Një prej tyre është Dorian Petoku”.
Petoku, një narko-trafikant shqiptar i dënuar si pjesë e hetimit ndaj një grupi kriminal, që merrej me shpërndarje të lëndëve narkotike në kryeqytetin italian, ndodhet në arrati prej disa muajsh, pasi ishte larguar nga një qendër rehabilitimi, ku ishte transferuar nga autoritetet gjyqësore, pavarësisht kundërshtimit të Prokurorisë së Romës
Fotot
Identifikimi i sulmuesve u bë i mundur përmes krahasimit të pamjeve të marra nga pika të ndryshme të burgut.
“Atje ka vetëm kamera video survejimi dhe jo oficerë, sepse nuk ka staf për ta mbuluar atë zonë, - shpjegoi kryeinspektori. - Calderon ishte i vetëm në fushën e sportit dhe po shihte një ndeshje futbolli mes të burgosurve, kur me shpejtësi tre prej tyre iu afruan dhe e goditën me grushte”, tha zyrtari policor, i cili, pasi pa pamjet, thirri Calderon-in në zyrë.
Inspektori tha se Calderon u shfaq me kokën e mbuluar. Kur i kërkoi të zbulonte kokën, "vura re mavijosje dhe gërvishtje në fytyrën e tij. Në atë moment i thashë të shkonte të bënte denoncimin, por ai nuk pranoi”, tha ai. Argjentinasi ishte i rezervuar në reagimin ndaj shkaqeve të sulmit, shpjegoi inspektori, duke theksuar për një "atmosferë heshtjeje" për këtë agresion në burg.
Pas atij episodi "ne vendosëm të izolonim Calderon-in për të mbrojtur sigurinë e tij derisa ai të transferohej në një burg tjetër".
Mbrojtja e Calderon-it, e përfaqësuar nga avokatja Eleonora Nicla Moiraghi, njoftoi se do të kërkojë akses në dokumente për të parë videon, ‘sepse në raportin e shërbimit që kemi në posedim, - shpjegoi avokatja penale, - nuk tregohet me siguri identiteti i agresorëve të mundshëm”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.