Futboll

Napoli refuzon mbi 100 mln euro për Osimhen, por Mançester Junajtid s’heq dorë

Gazeta Si – Napoli ka refuzuar një ofertë të pare nga Mançester Junajtid për sulmuesin Viktor Osimhen. Klubi italian nuk do të privohet nga lojtari që po e çon drejt titullit me golat e tij. Por anglezët nuk heqin dorë nga nigeriani.

Sipas shtypit italian, drejtusit e Napolit kanë marrë një ofertë prej më shumë se 100 milionë eurosh për nigerianin nga Mançester Junajtid. De Laurentis ka kthyer menjëherë përgjigje negative, ndërsa ‘Djajtë e kuq’ e kanë shtyrë ofertën e dytë për në verë, ku do të bëjnë gjithçka për transferimin e Osimhen.

Viktor Osimhen. Gazeta Si, 7 shkurt 2023

Nigeriani është udhëheqësi i Napolit këtë sezon, me 17 gola dhe 4 asiste në kampionat dhe Ligën e Kampionëve. Ai ishte vendimtar edhe në fitoren e fundit në fushën e Specias. Jo rastësisht klubet e mëdha angleze kanë vënë në shënjestër këtë sulmues. Dhe duke përfituar nga portofoli i tyre i pasur mund të rrëmbejnë çdo lojtar që duan.

‘Daily Mail’ shkruan se M.Junajtid është klubi që po e ndjek më seriozisht pistën e Osimhen. Trajneri ten Hag po kërkon një qendërsulmues për të konkretizuar rastet që krijon skuadra e tij. Në janar bleu holandezin Veghorst, por është e qartë se pas largimit të Kristiano Ronaldos klubi po tenton të bëjë një goditje të madhe, që të garantojë një rendiment të lartë në të ardhmen.

Në qershor pritet një maksi ofertë për Napolin, që ndoshta në verë do ta ketë të vështirë të rezistojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë