Libra

Namik Dokle: Ne nuk ishim djaj…

Suadela Balliu - Kur ishte fëmijë, rastiste që kur ndonjë natë t’ia trandin gjumit ëndrrat e këqija, dëgjonte të motrën që pëshpëriste në dritare. Edhe kur u rrit e dyta, pati të njëjtin zakon, që netëve të dilte në dritare e të pëshpëriste me zë të ulët, për të mos zgjuar familjarët.
Vite më vonë do të pyeste të ëmën, “A t’ka ardh’ baba n’dritare?” “Po si jo”, do t’i gjegjej e ëma. “Po na gjet’ belaja! Nana e vente qum’shtin me u ftoh te dritarja e dhomës ku rrija unë dhe, baba jot kish marrë nji kashtë thekre e na e pinte t’gjithë qumështin”. Një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tek një i afërm, ia ndërmendi edhe njëherë atë zakonin e vjetër në fshat. “Ai madje më tregoi se kishte pasur problem me një spiun, me atë Hundëthithësin, që përshkruhet në libër”, thotë Namik Dokle, ndërsa rrëfen ngjizjen e romanit më të ri, “Ditët e Lakuriqëve të Natës”, i përuruar në nisje të Panairit të Librit. Në Bukojnë, fshat në zonën e Gorës, vajzat dhe djemtë historikisht janë martuar me dashuri. Deri këtu asgjë e veçantë, sepse dashuria sado mund të jetë ndaluar e penguar nga shoqëritë gjatë historisë njerëzore, e ka gjetur gjithnjë udhën e vet. Por kjo dashuri lindte nga një dritare dhe një palë shkallë. Jo në Venedik, as në Verona, por mes Romeove dhe Zhuljetëve në një zonë të largët, në malet e veriut të Shqipërisë.


Djemtë, shkojnë netëve nën dritaret e vajzave, vendosin shkallët dhe bisedojnë tok deri në mëngjes, veçanërisht në ditët e para të dashurisë. Këtu në fshatin tonë, martesat bëhen me njohje edhe me dashuri. Kur një vajzë dhe një djalë shikohen me simpati, vajza i dërgon një tufë me karafila të bardhë dhe kur ai i pranon, ditën tjetër ai i dërgon një tufë me karafila të kuq.
…Çdo mbrëmje vajzat mblidhen pranë portave të mëdha. Këtu në Bukojna mblidhen në shtatë porta, që janë anës Julicës, rrugës së madhe dhe djemtë shëtisin, që nga Bërce e deri te guri i Çekiçit, duke dëgjuar këngët dhe romuzet e vajzave. Kur kalojnë aty pranë, marrin karafilat. Dikur vajzat këndonin deri vonë, tani regjimi i kufirit nuk i lejon…
Pikërisht kjo ndalesë e kësaj tradite të lashtë, treqind a pesëqind vjeçare siç thonë banorët e zonës, e shtyu Doklen të braktiste romanin që kishte nisur të shkruante, për t’iu kthyer edhe njëherë kujtimeve të fëmijërisë dhe traditave të fshatit të tij. “Ditët e lakuriqëve të natës” është i treti roman mbi zakonet dhe kulturën e krahinës së Gorës, pas “Vajzat e mjegullës” dhe “Lulet e skajbotës”, të botuar në harkun kohor të tre viteve.


“Kisha një libër tjetër gati në përfundim dhe nuk e di çfarë ndodhi, pak edhe si somnambul iu përkushtova vetëm këtij, deri para pak ditëve. Më kishte ngacmuar dhe doja të gjeja një metaforë për ndalimin e dashurisë, të fjalës…gjithfarë ndalimesh. Mendoja e mendoja, por në një çast më lindi kjo”, rrëfen shkrimtari, ndërsa shton se biseda me kushëririn në Uashington e bënë të ndërmende atë traditë të vjetër gorane, të cilën e kishte vëzhguar fëmijë, kur jetonte ende në fshat. “Mblodha disa materiale rreth traditës, por edhe më kujtohej. Një ditë i thashë nipit: “ Më kujtohet kur vinte yt atë te dritarja ime”. E dija dritaren, ku viheshin shkallët. Madje një natë me hënë, iu turr qeni i shtëpisë.”E mban mend mirë edhe ndalimin në fshat, kur binte muzgu. Duke qenë zonë kufitare, izolimi i atij fshati të largët – që shkrimtari e përshkruan me një vendndodhje gjysmë gjeografike dhe gjysmë mitologjike, i veshur me legjenda, këngë e gojëdhëna –ishte i dyfishtë. Arratisja e beftë e një fshatari, e bën komandantin e postës kufitare t’i japë fund traditës së dashurisë në dritare. Asnjë djalë nuk u lejua të merrte shkallët në shpinë e t’i vinte në dritaren e së bukurës që ia kishte zgjedhur zemra. “Kur isha i vogël, nuk na linin të ecnim natën. I ndieja kur kalonin ushtarët me çizmet me gozhda, që kërcisnin në kalldrëm.”
Dokle thotë se kjo traditë në vendlindjen e tij niste herët. “Një vajze të fshatit tim i ka çuar familja ime dhurata dhe ata na kanë kthyer nortat e bardha, kur unë isha në klasë të shtatë”, kujton duke qeshur shkrimtari, ndërsa i referohet karafilave, që përdoreshin si fjalëkalim për pëlqimin që jepnin familjet mbi dashurinë e të rinjve. “Është madje një ditë, më 6 janar, ku njerëzit spërkatin me ujë. Ti je duke ecur i zhytur në mendime, kur të vjen një kovë ujë i ftohtë në mes të atij acari. Duket si një ditë për të të kujtuar të jesh i vëmendshëm mbi atë çka ndodh rrotull teje.”

Gjatë përurimit të librit "Ditët e Lakuriqëve të Natës"


I kujtohen aq shumë nga këto zakone që e kapërcejnë botën fizike. Nëse do të harroje për pak sfondin historik ku janë vendosur ngjarjet, diku në mes të regjimit të instaluar komunist, mund të mendoje se gjithë ç’rrëfehet në atë roman me diç më shumë se njëqind faqe po zhvillohet një ndonjë nga vendet e Amerikës Latine, me rite që përzihen mes fetarizmit dhe spiritualizmit, ndërsa letërsia e Dokles ka aromë të realizmit magjik. “Ka një tjetër moment ku vajzat vënë një kusi me ujë, të nxehet shumë dhe hedhin brenda dy temina dhe u vënë emra, të tyrin dhe të djalit që pëlqejnë. Nëse teminat takohen me njëra-tjetrën atëherë është e thënë që ata të jenë bashkë.”, zbulon Dokle, ndërsa thotë se kjo praktikë ka një arsyetim shkencor; sipas ligjeve të fizikës kur uji që i nxehtë, atomet lëvizin më shpejt, duke u lejuar teminave të holla të afrohen tek njëra-tjetra. Kur e mbaroi së shkruari librin, i telefonoi një mikut të tij, që jeton ende në fshat dhe punon si mësues letërsie, për ta pyetur. “Po ti vetë, a ke shkuar në dritare? Posi jo, më tha. Madje më rrëfeu edhe një histori, disa hollësi të cilat i futa në libër. Po tani? E pyeta prapë. “Aaa, qëkur doli celulari, nuk ka më.” Mendova se është keqardhje e madhe, që ka humbur si traditë.” Të rinjtë e Gorës dhe tema e dashurisë janë qendrore në të tre romanet e Dokles, ndërsa shton se tek romani i dytë “Lulet e Skajbotës” ka trajtuar fenomenin e emigracionit. “Në fshatin tim martesat bëheshin me djemtë e fshatit. Si fshat i madh, me 300 shtëpi, njerëzit nuk kishin farefisni me njëri-tjetrin. Erdhi një moment, pas viteve ’90, që në fshat mbetën 87 vajza të pamartuara. Djemtë kishin ikur në emigracion. Ishte koha e regjimit të vizave, ata kishin ikur ilegalisht dhe nuk mundeshin të ktheheshin.” Pas kësaj nisën martesat jo vetëm jashtë fshatit, por edhe jashtë Shqipërisë. Ajo ç’ka deshi të përçonte me këtë roman të tretë ishte pasojat e tmerrshme që vijnë nga ndalimi i dashurisë.

“Ka qenë gjithmonë shtrëngesë e njerëzve gjatë regjimit. Unë kam qenë gazetar, një profesion ku je në ballë të frontit të propagandës së ideologjisë dhe na shihnin si djaj. Në fakt, ne nuk ishim djaj të vërtetë, por ishim engjëj të djallëzuar. Tjetër shkruanim dhe tjetër mendonim e flisnim me njëri-tjetrin rreth atyre që nuk shkonin.”


Klokoja, fshatari, që vendos të arratiset me familjen dhe të gjithë plaçkat e tij në roman, është emri i vërtetë i Ahmet Klokos, “kur u arratis, unë jetoja në fshat dhe e mbaj mend mirë. Nuk pranoi të çonte vajzën në aksion. Dy vetë nuk pranuan t’i dërgonin vajzat në aksion; Klokoja dhe xhaxhai im”. I pari u arratis, xhaxhai i Dokles, rrëfen ai, i shtrënguar për të mos dëmtuar ndonjë të afërm që punonte për shtetin, u detyrua ta dërgonte të bijën në aksion, në Librazhd, me shpenzimet e veta. “Klokoja u arratis dhe nuk u kthye më. Viteve të fundit jetoi në Sarajevë dhe e çuditshmja është se një ditë, më telefonoi një familje që kishte lidhje familjare me të bijën e Klokos – ai ka vdekur, ka vite –kishte marrë vesh se jam deputet dhe më kërkuan nëse njihja ndonjë për t’i ndihmuar me punë në Bosnje” , qesh ai.

Protagonisti apo heroi i romanit është një shkencëtar, profesor Reka, anëtar i Akademisë së Shkencave, i shkolluar në Francë, dërgohet në atë fshat siç e quan ai, në skaj të botës, për të zbuluar misterin e sëmundjes së kishte kapluar banorët e fshatit, simptomat e së cilës çonin të dyshohej fort për tërbimin. Në prozën e tij, Dokle zbërthen presionin nga jashtë e brenda të njeriut të shkolluar në Perëndim, që duhet t’i bindet regjimit dhe propagandës, ta mbajë gojën mbyllur edhe kur nuk është dakord me politikat e vendit të tij. I dashuruar me një franceze, gjatë kohës studentore, nga ambasada shqiptare në Paris do t’i tërhiqnin veshin “Ose lëre këtë Milin, ose të paketojmë në Tiranë” . Mesazhi ishte i qartë, po aq sa edhe veprimi që vinte pas “duro zemër se s’do hapur goja”. Mili ishte një e re, e përfshirë në demonstratat e majit, të 1968-ës, me thirrje për më shumë liri. “Ka qenë gjithmonë shtrëngesë e njerëzve gjatë regjimit. Unë kam qenë gazetar, një profesion ku je në ballë të frontit të propagandës së ideologjisë dhe na shihnin si djaj. Në fakt, ne nuk ishim djaj të vërtetë, por ishim engjëj të djallëzuar. Tjetër shkruanim dhe tjetër mendonim e flisnim me njëri-tjetrin rreth atyre që nuk shkonin.”


Dokle kujton herën e parë kur e çuan me shërbim jashtë Shqipërisë. “Në fillim shkoi një shoku ynë dhe pasi erdhi, ishim nja tre a katër vetë që po e dëgjonim. Me dreqni e pyes: “Me gjithë këto që na tregon, a je bërë pishman që je kthyer?” Jo, tha, nuk jam bërë pishman. Por, po më çuan edhe njëherë, nuk kthehem. Kishim besim tek njëri-tjetri dhe flisnim kaq hapur. Pastaj më erdhi radha mua të shkoja jashtë. Kur u ktheva, një shoku im nga Pogradeci doli më priti në aeroport. Më tha: “Kam dalë të të pyes, a kishte të drejtë ai shoku ynë?” Po, i thashë, kishte.”
Edhe heroi i Dokles, profesor Reka, deri në fund të romanit nuk guxon ta thotë të vërtetën, që e mundon aq shumë së brendshmi. “Kush je ti që jep urdhra, i drejtohet profesori, dikujt që e urdhëronte të hapte një varr. Është shefi i Sigurimit, i vjen përgjigja. Po shefi i së vërtetës kush është?” Këta duan t’u thuhen gjërat troç. Për herë të parë, profesor Reka, ndjeu se kishte jetuar jetën e dikujt tjetri. Në atë çast mendoi të jetonte jetën e tij dhe foli me të vërtetën: djemtë e fshatit, të vetmit në dukje të prekur nga virusi i tërbimit, vuanin vetëm nga ndalimi i dashurisë. Kjo e vërtetë solli pasojën e një internimi. Në roman Dokle ka sjellë edhe raportimet që bëheshin nga bashkëpunëtorë të Sigurimit, me ironi të quajtur “Gjethi i Njomë dhe Gjethi i Thatë”, të cilët e kishin survejuar shkencëtarin gjatë gjithë kërkimit shkencor, për të zbuluar shkaqet e sëmundjes.


Tërbimi nuk kishte ardhur as nga dhelpra e kuqe, as nga qentë, macet, minjtë apo lakuriqët e natës –të cilët vetë janë viktima të rrezatimit në minierën atypranë. Nuk ishte tërbim. Ishin pasojat e një jete të jetuar në ndalim. Vajzat zhvillojnë simptoma të histerisë, djemtë arrijnë deri në marri, pa mundur të shpërthejnë dot vrullin e epshit rinor. Një prej personazheve të romanit, një djalë që nuk pranon të vizitohet dhe analizohet, në fund var veten…“Më është dashur t’i studioj simptomat e tërbimit. Kam pyetur edhe vajzën, por më shumë iu drejtova Et’hem Rukës. Madje edhe romanin e nisa me emrin profesor Ruka, por thashë do ta ngatërrojnë punën me të dhe kështu e vura Reka”, zbulon autori. Lakuriqët e natës, nga ka marrë edhe titullin libri, janë në fakt ushtarët që patrullojnë netëve në fshat dhe duke ndaluar djemtë të vendosin shkallët në dritare, gjejnë rastin t’i ngacmojnë ata vetë vajzat e fshatit. Lakuriqët e Dokles janë me krahë shqiponje, turinj miu, lehin si qentë dhe kur përplasen pas xhamave mjaullinë si mace. “Një lexues familjar të cilit ia dhashë librin më tha: “Në fillim e kisha një ide ku do të dalësh, tani më ke ngatërruar fare.”Vetë profesor Reka i kupton fare mirë këta djem të rinj, atij vetë kur ishte student ia ndaluan dashurinë që kishte lindur në Paris. Shtetrrethimi në fshatin kufitar, me të rënë muzgu, i ndërmend profesor Rekës Check Point Charlie-n; metastazat e tij ishin përhapur deri në këtë anë të botës. “Kisha dëgjuar një histori në murin e Berlinit, mendova ta përfshija në roman, por nuk doja t’i largohesha shumë Gorës.”, rrëfen autori, ndërsa e ka fjalën për një dashuri të penguar pikërisht nga muri i Berlinit. “Një djalë dhe një vajzë u ndanë nga muri dhe djali për të arritur tek e dashura e tij hapi një tunel. E vranë sapo mbërriti tek e dashura. Është sot atraksion turistik dhe vizitohet nga mijëra. Po mendoja se ata të Sigurimit e kishin ditur që në fillim se ç’po bënte i riu dhe e lanë qëllimisht të kalonte dhe, me t’u afruar tek e dashura, ta vrisnin.”

“Nëse vajzat e krahinës së Gorës ndalohen të dashurojnë pas arratisjes së një familjeje, në një vend tjetër ndaloheshin nga Muri. 


Në frymën magjike, mes një vendi përrallash dhe një fshati të izoluar prej malesh dhe rojesh kufitare, shkrimtari rrëfen legjendën e tri vajzave të bukura të fshatit, të cilat një natë, e zbritën hënën në tokë dhe vallëzuan me të, krejt të zhveshura, deri ndaj të gdhiri. Fati i tyre qe i trishtë, dikush u çmend, dikush vrau veten…“Në një libër të një folkloristi hasa në tre rreshta: Simba Kerraj, grua 80 vjeçare, analfabete tregon: tre vajzat e fshatit tonë, dolën natën, shkuan tek lëmi i Veselit dhe zbritën hënën për të kërcyer me të. Unë pastaj e zgjerova më tej.”Kjo legjendë është edhe fara për një roman tjetër, zbulon ai. “Në këngët e fshatit tim, duket aq normale ku vajzat flasin me hënën, yjet, zogjtë e pyllit….”Megjithëse ky roman, ashtu si edhe i pari “Vajzat e mjegullës” e çon në një udhëtim në kohët e fëmijërisë së hershme, ku ka mbledhur ç’ka parë e dëgjuar e ç’i është rrëfyer, Dokle thotë se ka mbledhur ata elementë që e bëjnë romanin universal, duke menduar edhe lexuesin e huaj. Librat e tij janë përkthyer në gjuhën boshnjake. “Nëse vajzat e krahinës së Gorës ndalohen të dashurojnë pas arratisjes së një familjeje, në një vend tjetër ndaloheshin nga Muri. Kam lexuar një urdhër të ish-sekretarit të parë të Komitetit të Gjermanisë Lindore të mbylleshin tubat e shkarkimit të ujërave të zeza, për të mos kaluar në anën tjetër. Deri këtu shkonte marrëzia e kush pyeste për nënat, motrat, vëllezërit, fëmijët, që mund të ishin ndarë nga njëri-tjetri?”Ndarjen mes kufijve me fshatrat fqinjë e ka prekur në romanin e tij, ku për të kumtuar të afërmeve nga matanë kufirit lajmet e rëndësishme, si dasma apo vdekje e bënin me këngë. Ishte detyrim për banorët të dorëzonin pasaportën në postën kufitare.


“E dija fare mirë se po ta merrnin vesh se unë, kryeredaktori i gazetës “Puna”, kisha biseduar dhe ftuar në shtëpi një të dënuar, jo vetëm që nuk do të punoja më aty, por pale ku do të më çonin. 


Në thelb komunizmi ishte njëlloj, por në hollësi dhe momente, fshati Bukojnë bëhej edhe më i izoluar. Profesor Reka, në përpjekje për të zbuluar sëmundjen, më në fund shkon të vizitojë ata që nuk janë sëmurë. Tre djem nuk i kanë shfaqur simptomat e të tjerëve. Ajo që zbulon e çon më shumë drejt asaj ç’ka kishte dyshuar që në fillim. Njëri e ka të dashurën një fshat matanë lumit, ku nuk ka ndalim kufitar, dy të tjerët e kanë rregulluar disi me rojat e kufirit për t’i shpëtuar urdhrit. Më në fund i mbetet vetëm një enigmë; e djalit që nuk pranoi të vizitohej. Nën shtrëngesë ai zhvilloi shqetësime psikologjike, që e çuan të ushqente epsh për gruan e të vëllait e në fund, nga turpi do t’i jepte fund jetës së tij të re, duke thënë se vajzën e tij – të dashurën që nuk ia linin ta takonte në dritare – po ua linte ushtarëve. Metafora lokale rrezaton më gjerë, në Shqipërinë e izoluar. Sa thyerje ka marrë psika e individëve që jetuan nën regjimin komunist? Sa ka ndikuar në psikologjinë e çdo njeriu që i duhej të kishte një vete publike, të maskuar mirë nga mendimet e brendshme, i kujdesshëm në çdo fjalë, në çdo gjest, në çdo veprim? A po i vuajnë pasojat ende sot shqiptarët, të cilëve iu ndalua të jetonin të lirë?


Dokle rimerr disa prej personazheve të romanit të parë “Vajzat e Mjegullës”, një prej tyre është edhe mësuesi i ekzekutuar, që Dokle lë të kuptohet se është Havzi Nela, i dënuar nga regjimi komunist me varje në mes të qytetit të Kukësit. “Havziun e kam njohur sepse im atë me babain e tij kishin pirë gjak dhe ishin si vëllezër. Shkonim për festa dhe sebepe. Fshati i tij ishte një orë më këmbë nga fshati im. Duke qenë se edhe vëllai im mësues, Havziu vinte shpesh në shtëpinë tonë.”Tek figura e mësuesit, personazh me peshë në zhvillimin e ngjarjeve të romanit të parë, thotë se ka përzier elementë të mësuesit të tij të fillores, që ishte nga Shkodra me Havzi Nelën.
Ky, thotë shkrimtari, do të jetë edhe libri i fundit, që përmbyll Sagën e Gorës. “Mendoj se e kam ezauruar këtë temë. Të tre librat sëbashku kapin një hark të gjatë kohor, ku nis me histori të pesë apo gjashtë shekujve më parë, për të përfunduar në vitet 2000. Më shumë do të ishte abuzim”. Për romanin e tretë, thotë se nuk është menduar gjatë në kohë. “Më erdhi shpejt. Por e kisha atë dëshirën se duhet të bëja diçka.” Kur botoi “Vajzat e mjegullës” e patën pyetur “pse tani?” . “U përgjigja se vetëm tani ndihesha i lirë. Jo se nuk kisha pasur kohë nga 1990 deri më 2014, kur e shkrova, por nuk kisha lirinë e brendshme. Kur u çlirova nga gjithçka, e shkrova”, thotë autori, i cili ka shkruar prej viteve ’70, kryesisht drama e novela. Do t’i mbledhë të tre librat në një të vetëm, më vonë, e do t’i botojë me titullin “Saga e Gorës, rrëfen. Romanin që braktisi për të mbyllur triptikun e Gorës, thotë se nuk dihet kur do ta mbyllë, megjithëse i zbulon disa detaje. Personazhi kryesor nuk është i gjallë, por flet me të gjallët.

Lexues në Panairin e Librit 


Bëhet gjallë për kërkimin e eshtrave të një të pushkatuari. Një konferencë rreth poetit Frederik Reshpja, pak ditë më parë ia ngacmoi sërish temën e romanit të lënë më gjysmë. “Frederik Rreshpen nuk e pushkatoi diktatura, por i vrau shpirtin. Kam menduar ta fus si personazh…” Një tjetër personazh është edhe një ortodoks i ideologjisë komuniste, që pas sistemit, nga përndjekës krijon një shoqatë për të ngritur monumentin e të përndjekurit. “Ka shumë mundësi që ngjarjet të zhvillohen në aksin Shkodër –Durrës. E motra e të pushkatuarit, për t’i ikur persekutimit dhe paragjykimit të shoqërisë shpërngulet në Durrës. Pak a shumë siç ka bërë Pjetër Arbnori, i cili jetoi në Durrës. Të atin e Pjetër Arbnorit e ka pushkatuar i ati i Gramoz Pashkos dhe ata ishin në një parti, po ç’rëndësi ka…”. thotë, duke shtuar se ajo që ndodhi pas viteve ’90, me persekutorët të kthyer në të persekutuar dhe anasjelltas, ka sjellë shumë hipokrizi në shoqërinë e tranzicionit. “Ka çudira të jashtëzakonshme. Si janë njerëzit!” Kujton një episod të ngjarë diku nga viti 1992 a ’93, në Parlament. Dy deputetë të Partisë Demokratike, të shpallur hapur si Legalistë, e ftojnë të ngrinte me ta një dolli për ditëlindjen e Mbretit. “Dokle, sot asht’ ditëlindja e Naltmadhnisë, a po vjen ta pish nji gotë me ne?” Po mor, i thashë.”Ishte koha ku në kafenenë e parlamentit shërbehej edhe rakia, lejohej edhe mbajtja e armëve. “Duke pritur të vinte rakia ime, ata të dy thirrën edhe një djalë, që punonte si truprojë e zv.kryeministrit asokohe, Bashkim Koplikut. Jo, mor, nuk e pi me këtë unë, tha djali, se ka qenë kryeredaktor i Enver Hoxhës. Po hajde mor, i thanë ata, se e ke edhe patriot. I lexoj emrin që e kishte të shkruar në xhaketë, Baftjar Nela. “Si s’të vjen turp, i thashë.” Ia njohja të atin, e kishin dënuar me burg me 101 vjet, ishte ushtar në Shkodër. Pastaj ia ulën dënimin me 20 vjet, përfitoi edhe nga ca ulje të tjera. Por pas burgut e çuan në internim, në Çermë. Nuk mund të largohej nga aty. I dhanë leje njëzetekatër orë dhe ai shkoi të takonte kunatën e të vëllait, që ishte vajza e tezes sime. I kërkon vajzës së tezes të vinte tek unë.”

Ajo që ndodhi më pas, rrëfen Dokle, është se e priti në shtëpi atë burrë që nuk e njihte si fytyrë veç emrit dhe në fund u ndanë miq. “E dija fare mirë se po ta merrnin vesh se unë, kryeredaktori i gazetës “Puna”, kisha biseduar dhe ftuar në shtëpi një të dënuar, jo vetëm që nuk do të punoja më aty, por pale ku do të më çonin. I thashë atij djali: “Atëherë nuk pashë as biografinë e tët eti, as timen. Pas një jave, prapë dy deputetët: “Aman o Dokle takoje atë djalin se i ka thënë baba, pa i kërku’ falje Namikut, mos hajde në shtëpi!” Po, mor thashë. Pastaj secili vijoi në punë të vet. Pas ca kohe, më thotë vëllai: Ore e njeh Bafjtar Nelën? U mundova shumë te Përmbarimi për një punë dhe ma zgjidhi ai shpejt e shpejt. Tha, po e bëj për Namikun.”, kujton Dokle, ndërsa shton se përndjekja vijon edhe kësaj dite, veçse në forma të tjera.
…Makina e internimit qëndroi poshtë dritares. E dinte se do ta internonin, një bashkëpunëtor i ri shkencor në Akademinë e Shkencave, që punonte me të, ndoshta nga simpatia për profesorin apo nga mëshira për të, kishte nxjerr sekretin, të cilin kushedi ku e kishte mësuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë