Analize

Nagorni-Karabak: Historia e përgjakshme e një rajoni

Shpërthimi i përplasjeve ushtarake në kufirin Armeni-Azerbajxhan rrezikon t'i shtyjë dy ish-republikat sovjetike në luftë 26 vite pasi u arrit një armëpushim. Rikthimi një konflikti të armatosur midis dy vendeve fqinje ka implikime më të gjera gjeopolitike pasi Turqia, e cila ndan një kufi me Armeninë, po mbështet Azerbajxhanin, ndërsa Rusia, e cila ka lidhje të mira me të dy vendet, ka bërë thirrje për një armëpushim.

Historia e përgjakshme e një rajoni

Nagorni-Karabak, kryesisht malor dhe i pyllëzuar, shtëpi për rreth 150,000 njerëz, është në qendër të konfliktit. Rajoni është i vendosur brenda Azerbajxhanit por është i populluar kryesisht nga armenët (dhe kryesisht të krishterë krahasuar me Azerbajxhanin me shumicë myslimane). Konflikti filloi që në epokën para-sovjetike kur rajoni ishte në pikën e takimit të perandorive Osmane, Ruse dhe Persiane. Pasi Azerbajxhani dhe Armenia u bënë Republika Sovjetike në 1921, Moska ia dha Nagorni-Karabakut Azerbajxhanit por ofroi autonomi në rajonin e kontestuar.

Që në shekullin e XV Nagorni-Karabak banohej nga popullsi armene dhe, për pasojë, qe pjesë përbërëse e Armenisë, e cila për shkak të pushtimeve të ndryshme ka qënë për shumë dekada nën udhëheqje të huaja. Nagorni-Karabak qe rajoni që arriti ta ruajë pavarësinë ose autonominë e gjerë më gjatë se territoret e tjera armene dhe që nga gjysma e dytë e shekullit të XVIII u qeveris nga princa armenë, vasalë të Shahut të Persisë. Më pas, në fillimin e shekullit të XIX u bë pjesë e Perandorisë Ruse. Me shpërbërjen e kësaj të fundit, në vijim të revolucionit të 1917, Nagorni-Karabak u kontestua nga dy republikat e sapolindura të Armenisë dhe Azerbajxhanit.

E para e kërkonte për faktin që më shumë se 90% e popullsisë së tij përbëhej nga armenë, por edhe pse Nagorni-Karabak është gjeografikisht dhe historikisht armen. Kurse Azerbajxhani i bazonte kërkesat e tij mbi motive ekonomike, pasi rrugët kryesore të komunikimit të Nagorni-Karabak me jashtë kalonin nëpërmjet Azerbajxhanit. Veç kësaj, ky rajon ishte zona tradicionale e kullotave për barinjtë azerë. Marrja e Nagorni-Karabakut do t’i mundësonte Azerbajxhanit të kishte një kufi të përbashkët me Turqinë, aleaten e saj më të madhe.

Në këtë kontestin territorial ndërhynë fuqitë fituese të Luftës së Parë Botërore dhe sidomos Britania e Madhe, e cila kishte një lloj protektorati mbi rajonin. Londra mbështeti pretendimet azere për dy motive. Së pari: nuk donte të linte të pakënaqur myslimanët, që qenë të shumtë në Perandorinë Britanike. Së dyti: Armenisë, e goditur rëndë prej Turqisë nga gjenocidi i vitit 1915, i qenë premtuar nga ana e fuqive fituese kompensime të mëdha territoriale. Prandaj Armenia, me aneksimin e këtyre territoreve të mëdha në Perëndim, do të mund edhe të hiqte dorë nga Nagorni-Karabaku në favor të Azerbajxhanit.

Për këto motive, Britania e Madhe veproi në mbështetje të këtij të fundit duke bërë që Nagorni-Karabaku përkohësisht t’i jepej Azerbajxhanit. Vendimi përfundimtar rreth përkatësisë së këtij rajoni do t’i takonte një konference ndërkombëtare paqeje.

Por zhvillimet e mëvonshme morën një drejtim tjetër. Në Kaukaz, në vitin 1920, u vendos pushteti sovjetik dhe fuqitë fituese të Luftës së Parë Botërore u tërhoqën nga premtimet e aneksimit të disa territoreve turke në Republikën Armene. Kësaj të fundit, e zënë midis dy zjarreve të aleancës turko-ruse, jo vetëm që iu desh të hiqte dorë nga çfarëdolloj pretendimi territorial, por madje iu desh që të lëshonte disa territore armene. Veç kësaj, me vullnetin e Stalinit, qeveria sovjetike, që dëshironte të mos i armiqësonte popullsitë myslimane, në vitin 1921 dekretoi aneksimin e Nagorni-Karabakut nga Azerbajxhani, me kusht që atij t’i jepej një autonomi administrative; gjë që ndodhi 2 vite më vonë me krijimin e Rajonit Autonom të Nagorni-Karabakut Malor, por nga i cili u lanë jashtë territore të mëdha, të populluara nga armenët.

Autonomia e Nagorni-Karabakut qe vetëm formale, pasi qeveria azere zbatoi një politikë të rreptë spastrimi etnik ndaj armenëve. Një politikë e tillë ishte e prirur që të reduktonte numrin e tyre, duke bërë që të rritej popullsia azere, në mënyrë që të përbënin shumicën dhe për pasojë problemi i Nagorni-Karabakut do të zgjidhej vetë.

U mbështet kështu ekonomia e zonave të banuara nga azerët, u inkurajua lindshmëria dhe emigrimi i tyre nga rajonet përreth Nagorni-Karabakut dhe u la të lëngohej ekonomia e fshatrave armene, banorët e të cilëve u nxitën që të emigrojnë lashtë rajonit. Azerët ua ndaluan armenëve kontaktet me Armeninë dhe luftuan të gjitha shprehjet e përkatësisë etnike, duke i dënuar si nacionaliste.

Shumë përpara fushatës kundër fesë, e ndërmarrë nga Stalini, u mbyllën të gjitha kishat armene dhe u burgosën klerikët. Rezultati qe që armenët nga 94% përbënin tashmë 75% të banorëve, ndërsa azerët nga 5% përbënin 24% të popullisë. Një politikë e ngjashme spastrimi etnik qe zbatuar në të gjithë Nakhicevan, një tjetër rajon historikish armen dhe i aneksuar nga Azerbajxhani. Në këtë rajon, armenët në fillim të Luftës së Parë Botërore përbënin rreth 40% të popullsisë, ndërsa rreth 55% tjetër përbëhej nga azerë dhe kurdë. Në vijim të politikës së zbatuar nga Azerbajxhani, në fillim vitet ’80 armenët qenë katandisur në 1.5%.

Të pakënaqur, armenët e Nagorni-Karabakut protestuan shumë herë. Në fundin e viteve ’20 u krijua një lëvizje klandestine për bashkimin e Nagorni-Karabak me Armeninë. Pak përpara spastrimeve të mëdha të viteve 1937 dhe 1949, drejtuesit e Republikës Sovjetike të Armenisë e përsëritën kërkesën e aneksimit të Nagorni-Karabak me Armeninë. Për të njëjtin qëllim, në vitet e ardhshme drejtues dhe intelektualë armenë iu drejtuan Kremlinit, por nuk morën drejtësi. Një peticion, i nënshkruar nga 2500 banorë të Nagorni-Karabakut dhe i dërguar Hrushovit më 1963, nuk siguroi asgjë. Të njëjtin fat patën kërkesa të ngjashme të formuluara në vitet e mëparshme.

Armenët e Nagorni-Karabakut, duke mos dashur të pësojnë të njëjtin fat si bashkëkombasit e tyre të Nakhicevan, në janarin e 1988 dërguan një Kremlin një peticion të nënshkruar nga 100 mijë persona, kur kërkonin një referendum lidhur me të ardhmen e rajonit, por edhe kësaj radhe kërkesa e tyre nuk u pranua, kështu që më 20 shkurtin e 1988, Sovjeti i Deputetëve të Popullit të Nagorni-Karabakut votoi një rezolutë ku kërkohej bashkimi i këtij rajoni me Armeninë. Sovjeti Suprem i kësaj të fundit, më 15 qershor 1988, e pranoi kërkesën e Nagorni-Karabakut, por u refuzua si nga ana e Azerbajxhanit, ashtu edhe nga ana e Kremlinit.

Në fund të shkurtit të këtij viti në qytetin azer të Sumgait, me miratimin e autoriteteve, u shënua një masakër e madhe kundër rezidentëve armenë. Viktimat qenë disa qindra. Në dy vitet në vazhdim masakra të ngjashme u zhvilluan në Kirovabad dhe në janarin e 1990 në Bakù, ku armenët, pasi kishin pësuar humbje të shumta, u shpëtuan nga Ushtria e Kuqe që ndërhyri me vonesë vetëm pasi kur pogromi anti-armen mori tonet e një tentative për të delegjitimuar Partinë Komuniste.

Në total, viktimat e masakrave të ndryshme të ndodhura në Azerbajxhan shkuan në disa mijëra. Në vijim të këtyre fakteve, të gjithë armenët rezidentë në këtë vend (me përjashtim të banorëve të Nagorni-Karabak) u larguan me shpejtësi, duke braktisur gjithçka kishin. Paralelisht, azerët rezidentë në Armeni, u larguan pa pësuar dhunë dhe duke mundur t’i shisnin pronat e tyre.

Me rritjen e tensioneve midis armenëve dhe azerëve, në janarin e 1989 Kremlini vendosi që ta pezullojë përkohësisht administratën azere të Nagorni-Karabakut dhe ta zëvendësonte me një komitet të varur direkt nga Moska. Por në vijim të protestave azere të nëntorit të atij viti, ky komitet u shkri dhe Nagorni-Karabak u rikthye nën sovranitetin e plotë azer. U shkrinë organizmat administrative lokalë dhe në rajon u vendos një regjim ushtarak që kishte qëllim restaurimin e pushtetit azer. U kryen arrestime masive dhe u rritën persekutimet kundër popullsisë armene, e cila u përgjigj me bojkote dhe greva.

Reagimi azer qe jashtëzakonisht i egër: Rajoni u rrethua dhe u bllokuan të gjitha komunikimet me jashtë; shumë fshatra armene u sulmuan dhe banorët e tyre u vranë ose u detyruan të largohen. Njëkohësisht armenët, për të krijuar një vetëqeverisje dhe organizuar mbrojtjen e tyre, krijuan në shtatorin e 1989 një një lëvizje rezistence të armatosur për të përballuar ofensivën e gjerë e nisur nga Azerbajxhani. Më 1 dhjetor në një seancë të përbashkët të Sovjetit Suprem të Armenisë dhe të Këshillit Kombëtar të Nagorni-Karabakut, u dekretua bashkimi i tij me Armeninë.

Erdhi viti 1991, vit i shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Më 30 gusht të po këtij viti Azerbajxhani shpalli pavarësinë e tij nga Bashkimi Sovjetik. Tri ditë më pas, u dekretua edhe shkëputja nga Azerbajxhani dhe u shpall njëkohësisht Republika e Nagorni-Karabakut Malor. Kjo ndodhi mbi bazën e një neni të kushtetutës sovjetike, ende në fuqi, sipas të cilës nëse një republikë sovjetike (si Azerbajxhani) vendoste të shkëputej nga Bashkimit Sovjetik, atëherë republikat apo rajonet autonome të ndryshme të ndodhura në republikën që shkëputej (siç është rasti i Nagorni-Karabakut) kishin të drejtë që të mund të shkëputeshin prej saj.

Në vijim të këtyre fakteve u rrit më tej tensioni midis Nagorni-Karabakut dhe Azerbajxhanit, që duke qenë faktikisht i përjashtuar nga rajoni, dëshironte që të rivendoste autoritetin e tij. Përveçse krijuan një bllokim total përreth rajonit të kontestuar, azerët nisën një ofensivë ushtarake me të shtëna artilerie dhe bombardime ajrore e tokësore ndaj qendrave të banuara.

Pati mijëra viktima midis popullsisë civile, që në vijim të bllokimit të vendosur nga Azerbajxhani, u privua nga ushqimi, ilaçet e kurat mjekësore dhe, për t’i shpëtuar bombardimeve, u detyrua të gjente strehim në bodrumet e banesave në kushte jetesë të ngjashme me ato në të cilat u gjendën banorët e Sarajevës pak a shumë në po ato vite.

Në vitet 1992 dhe 1994, luftëtarët armenë, arritën që të çlironin kufirin armen dhe të pushtonin një rrip territori që rrethonte ish-Rajonin Autonom të Nagorni-Karabakut Malor nga ku niseshin bombardimet kundër qendrave të banuara armene. Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të OSBE më 24 mars 1992 vendosën që të mbajnë një konferencë paqeje në Minsk me pjesëmarrjen edhe të Rusisë, Shteteve të Bashkuara, Italisë, Gjermanisë, Çekosllovakisë dhe Suedisë. Në të të do të duhej të merrnin pjesë edhe përfaqësues “të zgjedhur” të Nagorni-Karabakut.

Pas tentativash të ndryshme për të vendosur armëpushim, i zbatuar pjesërisht nga shtete të ndryshme, në majin e 1994, falë një ndërmjetësimi rus, u arrit në një armëpushim, por që nuk e zgjidhi problemin themelor, përkatësinë e rajonit

Çfarë i shkaktoi përplasjet aktuale?

Pavarësisht nga armëpushimi, gjatë këtyre dy dekadave janë shënuar herë pas here përplasje në kufi. Në korrik të këtij viti, të paktën 16 njerëz u vranë në përleshje. Pas dhunës së së dielës, Azerbajxhani dhe Armenia fajësuan njëri-tjetrin. Baku tha se u detyrua të përgjigjet pasi sulmet armene vranë dhe plagosën trupat azere. Ministria e Mbrojtjes tha se trupat kanë kapur territore nga forcat armene. Armenia, nga ana tjetër, fajësoi Azerbajxhanin për fillimin e sulmit që synonte civilët.

Cila është domethënia strategjike e rajonit?

Azerbajxhani i pasur me energji ka ndërtuar disa tubacione gazi dhe nafte nëpër Kaukaz (rajoni midis Detit të Zi dhe Detit Kaspik) që shkojnë për në Turqi dhe Europë. Kjo përfshin tubacionin e naftës Baku-Tblisi-Ceyhan (me një kapacitet transportues 1,2 miliardë fuçi në ditë), tubacionin e naftës Export Route Export, tubacionin e gazit Trans-Anadoll dhe tubacionin e gazit të Kaukazit Jugor. Disa nga këto tubacione kalojnë afër zonës së konfliktit. Në një luftë të hapur midis dy vendeve, tubacionet mund të shënjestrohen, gjë që do të ndikonte në furnizimet e energjisë.

Cili është roli i Turqisë?

Turqia ka mbështetur historikisht Azerbajxhanin dhe ka pasur një marrëdhënie të dhimbshme me Armeninë. Në vitet 1990, gjatë luftës, Turqia mbylli kufirin e saj me Armeninë dhe ajo nuk ka marrëdhënie diplomatike me vendin. Pika kryesore e mosmarrëveshjeve midis të dyve ishte refuzimi i Ankarasë për të njohur gjenocidin armen në viti 1915 në të cilin osmanët vranë rreth 1.5 milion armenë.

Në anën tjetër, Azerbajxhani dhe Turqia ndajnë lidhje të forta kulturore dhe historike. Azerbajxhanasit janë një grup etnik turk dhe gjuha e tyre është nga familja turke. Pasi Azerbajxhani u bë i pavarur, Turqia vendosi marrëdhënie të forta me vendin ish-sovjetik. Në korrik, pas përplasjeve kufitare, Turqia mbajti një stërvitje të përbashkët ushtarake me Azerbajxhanin. Më 28 shtator, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan fajësoi Armeninë për përplasjet më të fundit dhe ofroi mbështetje për Azerbajxhanin. Kishte raporte se Turqia po rekrutonte mercenarë nga Azia Perëndimore për të luftuar për Azerbajxhanin në Kaukaz. Kjo është pjesë e strategjisë agresive të politikës së  jashtme të Ankarasë, e cila kërkon të zgjerojë interesat turke në ish territoret osmane. Kohët e fundit, Turqia ose është bashkuar me konfliktet ose ka rritur tensionet në Azinë Perëndimore, Mesdheun Lindor, Afrikën e Veriut dhe tani Kaukazin.

Ku qëndron Rusia?

Moska e sheh rajonin e Kaukazit dhe Azisë Qendrore si oborrin e saj. Por përplasjet aktuale e vendosin Presidentin Vladimir Putin në një pozicion të vështirë. Rusia gëzon lidhje të mira me Azerbajxhanin dhe Armeninë dhe furnizon me armë të dyja palët. Por Armenia është më e varur nga Rusia sesa Azerbajxhani i pasur me energji. Rusia gjithashtu ka një bazë ushtarake në Armeni.

Burimet: "Al Jazeera", "Time", "Hindu Times"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë