Ekonomi

Nafta pa doganë dhe fatura fiktive, hiqen 5 doganierë, dëmi 1 mln euro

1 mln euro rezulton dëmi i shkarkuar arkës së shtetit në fushën e hidrokarbureve gjatë vitit 2018-gusht 2019.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Arlind Gjokutaj në një konferencë për shtyp sot në kuadrin e luftës antiinformalitet, raportoi se për këtë dëm janë shkarkuar nga detyra 5 doganierë mbikëqyrës dhe janë thirrur në komisionin disiplinor 9 doganierë të tjerë.

“Jemi të ndërgjegjshëm që lufta ndaj informalitetit kërkon edhe analizimin dhe evidentimin e faktorëve të brendshëm që kanë ndikuar në zhvillimin e këtij fenomeni, si dhe marrjen e masave dhe nxjerrjen e përgjegjësive për çdo individ apo strukturë të institucionit.

“Për sa më sipër, bazuar në mangësitë e evidentuara, perveç penalizimit të subjekteve, ka nisur procesi i verifikimit të përgjegjësive brenda administratës doganore. Përfitoj nga rasti të rikujoj që ky nuk është një aksion i kufizuar në kohë, por një Plan Operacional Veprimi i vazhdueshëm me objektiv të qartë: asnjë kompromis ndaj informalitetit dhe çdo operatori që do rezultojë me parregullsi.”- është shprehur Gjokutaj duke shtuar se “ Synimi i vetëm është mbrojtja e biznesit të rregullt dhe e konsumatorëve, duke garantuar që barra fiskale ndahet në mënyrë të barabartë nga të gjithë bizneset dhe taksat e mbledhura shkojnë për shërbime dhe investime për qytetarët.”

Prej kontrolleve sipas kreut të doganave ka rezultuar:

  • 8 magazina të lira për karburantet me vendndodhje në Porto Romano, Lezhë dhe Vlorë
  • 4 magazina të lira për produktin Gaz i Lëngshëm Natyror me vendndodhje në Vlorë dhe PortoRomano
  • Si edhe 3 rafineritë e përpunimit të naftës bruto në Fier, Ballsh dhe Elbasan
    Kontrolli u krye për periudhën 2018 - deri në gusht 2019, dhe konsistoi në krahasimin e të dhënave të sistemit informatik doganor, matjeve fizike të vitit 2018 me gjendjet e matjeve fizike të kryer nga grupi i kontrollit, duke shtuar veprimet doganore të periudhës në kontroll.

Grupi i kontrollit gjithashtu, përllogariti dhe analizoi firot natyrore e teknike të njohura sipas bazës ligjore në fuqi.

Në përfundim të kontrollit, për çdo operator që ka rezultuar me sasi të munguara janë llogaritur detyrimet doganore të munguara dhe janë aplikuar sanksionet përkatëse sipas Kodit Doganor dhe Ligjit për akcizat.

Kanë rezultuar mangësi nga gjendja e deklaruar te të gjithë operatorët që operojnë me karburant në magazinat e lira, 1 operator që operon me gazin natyral të lëngshëm dhe 1 rafineri prodhimi:

  • ROYAL TRADE COMPANY sha
  • PORTO ROMANO OIL sha
  • KASTRATI sha
  • GENKLAUDIS sha
  • EUROPETROL sha
  • EROIL sha
  • BOLUNMEZ PETROL sha
  • LA PETROLIFERA ITALO – ALBANESE sha
  • MARE OIL Sh.A
  • TOSK ENERGJI Sha,

Në total, nga i gjithë procesi i kontrollit rezultuan diferenca për:

  • 752,015 litra karburant dhe
  • 77,451 litra gaz.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë