Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm të hënën pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, paralajmëroi se konflikti me Iranin “nuk ka përfunduar”, duke rritur frikën për një përshkallëzim të ri të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe për kërcënime të mëtejshme ndaj furnizimeve globale të energjisë.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump hodhi poshtë kundërpropozimin e Iranit për t’i dhënë fund luftës me SHBA-në dhe Izraelin. “Sapo lexova përgjigjen nga të ashtuquajturit ‘përfaqësues’ të Iranit. Nuk më pëlqen, është totalisht e papranueshme!”, deklaroi Trump.
Kontratat e naftës amerikane WTI u rritën me 4.8%, duke arritur në 100.04 dollarë për fuçi, ndërsa ajo Brent avancoi me 4.2%, në 105.49 dollarë për fuçi.
Që nga fillimi i luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit më 28 shkurt, si WTI ashtu edhe Brent janë rritur me rreth 40%.
Netanyahu deklaroi në një intervistë për emisionin “60 Minutes” të CBS se Irani ende zotëron material bërthamor dhe uranium të pasuruar që duhet të hiqen, ndërsa vendet e pasurimit dhe programi i raketave balistike mbeten shqetësim serioz. “Ka ende punë për t’u bërë,” tha ai. I pyetur se si SHBA-ja dhe Izraeli do ta largonin materialin bërthamor, Netanyahu u përgjigj: “Hyn dhe e merr.”
Analistët e Citi vlerësuan se çmimet e naftës mund të rriten edhe më tej nëse Irani dhe SHBA-ja nuk arrijnë një marrëveshje. Sipas tyre, tregjet janë mbështetur deri tani nga rezervat e larta globale, lirimet nga rezervat strategjike të naftës dhe dobësimi i kërkesës në ekonomitë në zhvillim.
Megjithatë, Citi paralajmëroi se rreziqet për çmimet mbeten të orientuara në kahun rritës, pasi Irani vazhdon të ketë kontroll të konsiderueshëm mbi kohën dhe kushtet e çdo marrëveshjeje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më kritike të transportit të energjisë në botë.
Felipe Elink Schuurman, CEO dhe bashkëthemelues i Sparta Commodities, tha se situata aktuale në tregun e naftës i ngjan krizës së pandemisë Covid-19 në vitin 2020.
Sipas tij, mungesa aktuale e furnizimit është ekuivalente me humbjen prej rreth 9 milionë fuçi në ditë të kërkesës globale gjatë pandemisë, çka do të detyrojë tregun të përshtatet përmes “shkatërrimit të kërkesës”, një proces ku konsumatorët dhe ekonomitë reduktojnë përdorimin për shkak të çmimeve të larta.
Ai paralajmëroi se vendet më të varfra mund të përballen me krizë humanitare, Europa me krizë ekonomike dhe SHBA-ja me pasoja politike, ndërsa produktet energjetike mund të arrijnë nivele ekstremisht të larta çmimesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje