Futboll

Nacionalizëm dhe futboll, si lindin “Modriçët” e rinj në Kroaci

Asnjë vend tjetër nuk eksporton kaq shumë lojtarë në Europë. Një industri dhe një krenari për të gjithë, por lidhja me të kaluarën nacionaliste (dhe luftërat) nuk mbaron kurrë. Vendet që eksportojnë më shumë futbollistë janë: Uruguai, Kroacia, Serbia, Portugalia, Belgjika, Argjentina, Franca, Holanda, Gana, Anglia, Spanja, Kolumbia, Brazili, Gjermania, Nigeria.

Bartol, 5 vjeç, mban në qafë një shall bardhekuq. Nga një ulëse e stadiumit të vjetër “Maksimir” në Zagreb, kthehet nga babai i tij Bruno dhe i thotë: “Baba, jam i pasur!”. Pastaj shpjegohet më mirë: “Po baba, sepse më solle këtu, me miqtë tanë për të parë ndeshjen e skuadrës sonë, për të parë Kroacinë, nënkampione e botës, duke sfiduar Azerbajxhanin”. E ëndërronte këtë mbrëmje vere: është aty, ku u dashurua me kombëtaren, që humbi në botëror vetëm në finale nga një kundërshtar si Franca. Gjysmë milioni persona kishin dalë në rrugë për të pritur heronjtë e tyre në Zagreb. Atë ditë korriku, mes koreve, flamujve e fishekzjarrëve, një baba mbante në shpinë fëmijën e tij. “I kemi pritur 7 orë, - tregon Bruno. – Pastaj erdhi autobusi i ekipit, që na kaloi para syve dhe Bartol po shikonte Modriçin: ishte dita më e bukur e jetës së tij”.

Luka Modriç, kapiteni i Kroacisë

Atë ditë kroatët mbyllën një cikël të gjatë 20-vjeçar. Në verën e 1998-ës, pas një fëmijërie si refugjat në Zara, Luka Modriç adhuronte nga tv kombëtaren e tij, që doli në gjysmëfinale në botërorin e parë të historisë së saj, e udhëhequr nga golat e Shukerit dhe Bobanit. Idhujve të tij të fëmijërisë, para pak muajsh, Modriç u ka kushtuar “Topin e artë”. “Ishim një vend që sapo kishim dalë nga lufta, në dhomat e zhveshjes nuk flisnim për gjë tjetër, - kujton Dario Simiç, ish-kapiten i Kroacisë. – Ndjenim përgjegjësi shumë të madhe, donim të bënim një gjë të rëndësishme për njerëzit”.

Vuajtja e konfliktit ishte bërë një stimul sportiv. Kjo u bashkua me hidhërimin, dëshirën e natyrshme të kroatëve për të konkurruar dhe për të fituar mbi kundërshtarët në çdo fushë. "Gjatë udhëtimeve të autobusit, - zbulon Ciro Blazeviç, tekniku legjendar i asaj skuadre, tani 84 vjeç, - u tregova lojtarëve videokasetat me imazhet e luftimeve. Pastaj u thashë: “Njerëzit tanë kanë shkuar të vdesin për Kroacinë dhe ju e bëni në brekë për një ndërhyrje me takë në kokë…”. Lojtarët e atij brezi të parë të artë të ish-Jugosllavisë që u bënë kroatë, ishin të uritur ta arrin suksesin për vendin e tyre, më në fund të pavarur, të njohur për pjesën tjetër të botës. "Patriotizmi na ndihmon. Ndoshta për të tjerët pjesëmarrja me ekipin e tyre kombëtar është vetëm një mënyrë për të luajtur. Për ne, - siguron Simiç, - është ndryshe. “Kupa e Botës 2018” konfirmoi se suksesi ynë nuk ishte rastësi: jemi super talente për futbollin”.

Ish-mbrojtësi Dario Simiç dhe trajneri i Kupës së Botës 1998, Ciro Blazeviç. Majtas, Muzeu Kombëtar në Zagreb

Talentin, në Kroaci kanë mësuar ta kultivojnë dhe ta paguajnë. Siç ka bërë Denis Gudasiç, i lindur në Australi dhe që u zhvendos në atdhe në vitin 1991 për të luftuar së bashku me popullin e tij në një luftë të vjetër, por kurrë të harruar. Sot ai është drejtor ekzekutiv i Lokomotivës së Zagrebit, ekipi i dytë i kryeqytetit. Tri fusha sintetike në periferi, një me bar natyral dhe një dhomë zhveshjeje. Por edhe një “markë fabrike”, - ku të rinjtë bëhen futbollistë të vërtetë. "Modeli i vetëm i biznesit i të gjitha ekipeve kroate, - pranon Gudasiç, - është rritja dhe eksportimi i kampionëve, nuk ka plan B. Jemi të dënuar për të prodhuar për të tjerët dhe për të shitur". Kampionati ka vetëm 10 ekipe, luhet në stadiume të vjetra dhe gjysmë të zbrazët, sponsorët paguajnë pak dhe televizionet nuk investojnë për të transmetuar ndeshjet. Një sistem i prapambetur dhe i trazuar, që federata nuk ka ndihmuar për ta shëruar. Por industria po ecën përpara, sepse këtu lënda e parë duket e pafundme.

Një nënë shikon stërvitjen e djalit të saj në fushën e Dinamos së Zagrebit
Suvenirë dhe fanella të Kroacisë në tregun e Dolacit, Zagreb

Shumë prej atyre që fëmijë ishin viktima të luftës në Jugosllavi, janë rritur me mitin e Bobanit. Për t'i bashkuar, ata kanë një patriotizëm që nuk ka kufij. Pothuajse të gjithë kanë kaluar nga Dinamo Zagreb, klubi më i dashur, i urryer dhe i pasur. Dhe që e kuptoi i pari si të pasurohej, duke eksportuar lojtarë të rinj. Është një Brazil i vogël në Adriatik. "Çdo fundjavë luhen 9000 ndeshje mes fëmijëve, por vendi është kompakt dhe është e lehtë për skautët tanë të identifikojnë më të mirët". Nëse zbulohet një talent, duhet të përpunohet. Kush punon fort dhe është i aftë, mbërrin në Kategorinë e Parë maksimumi 18 vjeç, dhe përballet me profesionistët. "Këtu nuk të huaj si në kampionatet e mëdha evropiane, ka më shumë hapësirë për tanët". Ashtu si Luka Ivanuseç, 20 vjeç, ylli i Lokomotivës, futbollisti më i ri kroat që ka shënuar gol në ekipin kombëtar. Ai së shpejti synon të luajë në Itali ose në Spanjë.

Një parullë e “Bad Blue Boys”, ultrasit e Dinamos së Zagrebit

Shumë njerëz mezi presin të ndjekin gjurmët e Mandzukiç dhe Modriç. Por duhet kuptuar kur është koha për të shkuar. Asnjë nxitim. Një defekt që prindërit shpesh e kanë në një vend që nuk lundron në ar: "Shumë lojtarë vijnë nga familje modeste që fitojnë 600-700 euro në muaj dhe i shohin fëmijët e tyre si një mundësi për t'u pasuruar. Sot kemi marrë një ofertë nga Sasuolo për një 16-vjeçar: u lodha për të bindur familjen e tij se është shumë herët të largohet”, - thotw Gudasicc. Është problemi dhe fati i Kroacisë: thirrja e Europës, ëndrra e të gjithëve. Nw vitet 2011-2018 vendi ka humbur mbi 200 mijë banorë, të gjithë kanw emigruar, edhe lojtarët. Vetëm një nga 23 heronjtë e “Rusi 2018” luante në Kroaci, portieri i tretë. Përveç Uruguait, nuk ka vend aq të vogël sa Kroacia qw dërgon kaq shumë lojtarë jashtë vendit. Një minierë e vërtetë, por drejtuesit kroatë i paralajmërojnë djemtë e rinj me një statistikë: kush nuk luan të paktën 3 vjet në Kroaci, kur largohet e ka shumë më të vështirë.

Nga stërvitja e fëmijëve te Lokomotiva e Zagrebit

Futja në Bashkimin Europian në vitin 2013 ishte një shpatë me dy tehe: "Kjo na ndihmoi, - shpjegon Goran Tomiç, trajneri i Lokomotivës, - sepse nuk jemi më imigrantë dhe lëvizja në klubet më të mira në botë është bërë më e lehtë. Por edhe na dëmton gjithashtu: tani shumë fëmijë po largohen shumë shpejt dhe humbasin rrugës”. Më mirë të pritet. "Idealja? Para se të shkohet jashtë, më mirë të qëndrohet dy-tre vjet këtu, në një klub të madh si Dinamo Zagreb”. Ekipi më i fortë, më i dashur dhe më i urryer në vend. Zonja e shtëpisë në stadiumin e vjetër “Maksimir”, udhëkryq i historisë kroate përtej futbollit.
Mbi ato shkallë dhe mbi atë bar ka ndodhur gjithçka: përplasjet midis ultrasve kroatë dhe serbëve në 1990 (me shkelmin e famshëm të Bobanit ndaj policit serb), monumentin e mbështetësve që ranë në luftë, ndryshimin e emrit pas pavarësisë, sepse "Dinamo" ishte tepër komuniste për qeverinë e re. Dhe pastaj kthimi në origjinë dhe dominimi i Zdravko Mamiç, udhëheqësi i korruptuar, i cili për vite me radhë ka pilotuar të gjithë futbollin kroat - duke përfshirë dhe atë kombëtar - dhe vitin e kaluar ai iku në Bosnjë për të shmangur burgun. Ka ende një foto të tij në palestrën e qendrës sportive të fëmijëve, krahas atyre të së kaluarës së madhe këtu: dhjetë prej heronjve të Rusisë, duke përfshirë Modriçin. Të gjithë ish-dinamovitë, të shitur jashtë vendit nga Mamiç, duke përfituar miliona.

Stadiumi "Maksimir" në Zagreb dhe monumenti për "Bad Blue Boys" që ranë në luftë

E ardhmja mund të jetë Dani Olmo. Një paradoks i bukur historia e tij: spanjoll, një ish-kapiten në skuadrën e të rinjve në Barcelonë, që në moshën 15-vjeçare shkoi në Zagreb për t'u rritur te Dinamo. Pesë vjet më vonë ai është lojtari më i fortë në kampionat, gjysma e Europës e dëshiron dhe ai kushton 30 milionë euro tashmë. Një mal me para. Merita e shkollës së futbollit të klubit, një “makinë” me 8 fusha, 12 ekipe, 250 fëmijë dhe 27 trajnerë. Drejtori i Përgjithshëm, Andjelko Ivanjko, na drejton përmes tabelave taktike dhe trofeve: "Vijnë për të na studiuar nga e gjithë bota: këtë javë ka një teknik nga Peruja”. Ndërsa shohim stërvitjen e Dinamos II, një punonjës i klubit nxjerr argumentin delikat të Mamiçit: “A mendoni se pa të do të ekzistonin të gjitha këto? Finalja e Botërorit në pjesën më të madhe është merita e tij. Industria e talenteve është krijimi i tij. Na monitoronte gjatë dhe e kuptoi se mund të shiste më mirë se kushdo".

Nga stërvitja e të rinjve të Dinamos së Zagrebit

Mamiç ishte gjithashtu i përfshirë në politikë, së bashku me nacionalistët e HDZ-së, partia që ka qenë gjithmonë në pushtet. Ai ishte një mik i presidentes Kolinda Grabar-Kitaroviç, e cila në bibliotekën e pallatit të saj është e lumtur për të folur për futbollin. Përqafimet e saj në ekipin kombëtar gjatë Botërorit të Rusisë e bënë të njohur kudo. Një reklamë e bukur për vendin dhe për të: "Kam filluar një projekt të riemërimit të Kroacisë. Shumë na identifikojnë ende me luftën, në vend që të flasin se ne kemi shumë talente, jo vetëm në futboll. Bota do t’i njohë së shpejti", - thotë Kolinda. Kur pyetet për Mamiçin, ajo ngurtësohet: "Ai duhet të jetë në gjendje të mbrojë veten. Distancohem nga çdo koment”.

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar, përqafon Modriç pas finales së Botërorit në Rusi

Kolinda përpiqet të ofrojë një imazh pozitiv të Kroacisë: i drejtë, fitues, i projektuar për të ardhmen. Por mbeturinat nga luftërat rishfaqen gjithë kohën. Edhe atë ditë në mes të korrikut, me vendin duke festuar: në autobus ekipi kishte ftuar këngëtarin Marko Perkoviç (emri i artit, Thompson), i njohur për këngët e tij ultranacionaliste. "Ishte vetëm një moment i madh i unitetit, nuk kishte asgjë të papërshtatshme," - betohet presidentja. Megjithatë, shumë bashkatdhetarë hodhën poshtë euforinë e momentit, u ndjenë të ofenduar nga ata lojtarë që u rritën me bukë dhe "atdhe", ambasadorë të rinj në botën e Kroacisë, të cilët nuk mund të heqin qafe të kaluarën. "Ata mund të bashkojnë vendin, - thotë me keqardhje gazetari Aleksandar Holiga, - dhe ata shkatërruan gjithçka, madje pa e kuptuar atë. Në fund ata janë vetëm futbollistë të mirë. Për të ndryshuar imazhin e vendit, nuk mund të jetë e mjaftueshme”.

Fanellat e Kroacisë

Përgatiti: Erion Abule


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë