Shendet

“Na vijnë në gjendje edhe më të rëndë se më parë…” Pse numri i të intubuarve mbetet i lartë

Përgjatë dy muajve të fundit, është vënë re një ulje e shifrave të infeksioneve dhe fataliteteve në vendin tonë. Kjo gjë bëri që Komiteti Teknik i Ekspertëve, të mblidhej për të lehtësuar disa masa. Por duke parë në brendësi të shifrave, vihet re se numri i personave të intubuar deri diku mbetet i njëjtë këto dy muaj. Gjatë fillimit të majit kur shifrat e infektimeve dhe vdekjeve ishin të ulta, numri i personave të intubuar arriti edhe 8.
Këtë e konfirmon edhe mjeku reumatolog-infeksionist Tritan Kalo në Spitalin Covid1, i cili i tha Gazetasi.al se intubimi vijon në të njëjtat parametra. Mjeku tregon se “në spital i dërgojnë të sëmurët në gjendje më të rëndë se më parë sepse tentojnë që t’u japin ndihmën në shtëpi më parë”.


Ekspertët kanë shpjeguar edhe më herët që vështirësia e sëmundjes së Covid-19 vjen së pari dhe nga vonesa e trajtimit. E sipas mjekut Kalo të sëmurët shkojnë në gjendje të rënduar duke mos ditur t’i vlerësojnë në kohë kriteret se kur duhet të paraqiten në spital.

Mjeku Kalo në vazhdimësi i ka bërë thirrje popullatës që sidomos tani mos ta ulë vigjilencën ndaj Covid-19, pavarësisht shifrave në ulje. “… nuk është ende momenti për të hapur shishet e shampanjave e për të brohoritur FITORE!!! Kemi ende udhë për të bërë në tunelin e pandemisë, por dalja prej tij po afrohet shpejt dhe kjo gjë na bën optimistë”, thotë kalo në një nga statuset e tij në FB.

Ekspertët e Shëndetit publik në vendin tonë kanë shpjeguar më herët se gjendja epidemiologjike në shifra të ulëta, ka ardhur për një sërë arsyesh, ku prej tyre theksi i vihet edhe imunizimit të popullatës. Në një prezantim në Akademinë e Shkencave, eksperti i shëndetit publik Alban Ylli ka shpjeguar se kemi riskun më të ulët në rajon për përhapjen e Covid-19 në popullatë e shkak kryesor ka qenë situata në Tiranë, ku rastet janë ulur ndjeshëm.
“Pavarësisht nga numri krahasimisht i lartë i rasteve aktive në Tiranë, ato nuk janë duke prodhuar shumë raste të reja. Ndërkohë që raporti i incidencës me nivelin e rasteve aktive është shumë më i lartë në Gjirokastër, Berat, Korçë, apo në rajone të tjera të vendit. Kjo dëshmon për një receptivitet dhe si pasojë risk më të lartë në këto qarqe krahasuar me Tiranën”, ka shpjeguar më herët eksperti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë