Kombetarja

Uzuni largohet nga kuqezinjtë për dëmtim. Probleme edhe për Berishën, ftohet Sherri

Gazeta Si - Myrto Uzuni nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Silvinjo për dy miqësoret me Kilin dhe Suedinë, që luhen më 22 dhe 25 mars. Sulmuesi beratas ka një dëmtim që nuk e lejon të luajë dhe do të kthehet në klubin e tij në Spanjë.

Myrto Uzuni me fanellën e Kombëtares. Gazeta Si, 20 mars 2024

Gjatë këtyre ditëve Uzuni ishte stërvitur në mënyrë të diferencuar dhe sot është kuptuar që ai nuk mund të rikuperohet në kohë. Për të mos rrezikuar, aq më tepër që bëhet fjalë për miqësore, lojtari ka lënë grumbullimin.

Probleme fizike ka edhe portieri Etrit Berisha, i cili ka ndjerë shqetësime. Pasi ka parë gjendjen e portierit kuqezi, stafi ka vendosur që ai të qëndrojë pushim për ndeshjen e parë me Kilin në Parma. Në vend të tij është thirrur portieri i Egnatias, Alen Sherri.

Tani mbetet të shihet, nëse trajneri Silvinjo do të thërrasë ndonjë lojtar tjetër për të zëvendësuar Uzunin, apo jo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë