Sociale

“Muzika nuk vret”! Artistët sërish protestë

Të rinj, artistë e muzikantë kanë dalë sërish në protestë mesditën e kësaj të marte në sheshin para Kryeministrisë për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për mbylljen e bareve dhe lokaleve të natës, por edhe muzikën duke filluar nga ora 20:00.

Nën sloganin “Muzika nuk vret”, artistët janë kundër vendimit të djeshëm të qeverisë, pasi një vendim i tillë i penalizon drejtpërdrejt ata.

Gjatë protestës së sotme ka pasur edhe përplasje mes artistëve dhe policisë dhe policia ka shoqëruar disa protestues.

Artistët që nuk e kanë pritur mirë këtë vendim të qeverisë dhe të shumtë kanë qenë ata që kanë shpërndarë në rrjetet e tyre sociale postimin nën thirrjen “Kundër aktit normativ”.

Disa figura publike që kanë shpërndarë postimin në Instagram janë Capital T, Eneda Tarifa, Eugent Bushpepa, Aurela Gaçe, etj.

Në postimin e tyre shkruhej: Muzika nuk vret. Mos ma mbyll muzikën.

Protesta e artistëve nisi që pasditen e djeshme para Kryeministrisë dhe u shoqërua me përplasje. Sot policia në një njoftim zyrtar tha se janë shoqëruar 12 protestues.

Pse u ndaluan klubet e natës

Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë, njëherësh kryesuese e Komitetit Teknik të Ekspertëve për të përballuar pandeminë e COVID-19, sqaroi në një intervistë televizive se që në periudhën kur nisi rihapja e aktiviteteve klubet dhe lokalet e kishin të paracaktuar në protokollin e masave që duhet të ndiqnin në mënyrë që të minimizonin mundësinë e përhapjes së infeksionit.

“Distanca e tavolinave, mënyra e vendosjes së karrigeve dhe njerëzve në mjedise të jashtme nuk është respektuar, nuk ka nevojë të dalin pamje, një shëtitje të bënim në mbrëmje nëpër lokale dhe çdo njeri tmerrohej duke e ditur epidemiologjinë e ndërkohë të rinjtë rrinin ngjitur me njëri-tjetrin”, u shpreh Rakacolli.

Reagimi i Ramës

Kryeministri Edi Rama e cilësoi dje si “të pakonceptueshme” ngritjen e zërit të qytetarëve “pse ministria shtrëngoi masat ndaj klubeve të natës, ndërsa hapja e tyre nuk është lejuar asnjë ditë”.

“Zoti i ruajtë ata e familjet e tyre prej tyre dhe ruajtë të tjerët nga këto mendje!” – u shpreh Rama në Twitter.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë