Kombetarja

Mustedanagiç zbërthen Shqipërinë për kroatët: Kanë mentalitet sulmues, dua ta kalojnë grupin

Gazeta Si - Xhemal Mustedanagiç është një emër i njohur jo vetëm në Kroaci, ku ka luajtur me Dinamon e Zagrebit, por edhe në vendin tonë. Boshnjaku ka punuar për shumë vite këtu, si ndihmës në kohën e trajnerit Josip Kuzhe, si trajner i Shqipërisë U-17 dhe pastaj si drejtor teknik i Kombëtares.

Shumë vite në Tiranë dhe e njeh shumë mirë ngritjen që ka bërë futbolli shqiptar. Mustedanagiç ka folur me superlativa për shtypin kroat, duke treguar me detaje se çfarë ekipi ka Shqipëria. Ndihet pak shqiptar dhe ka shprehur dëshirën që të kalojnë grupin e Euro 2024 Kroacia dhe Shqipëria.

“Shqiptarët janë të shkëlqyer! Do ta shihni, kanë një ekip që së shpejti do jetë shumë konkurrues. Është vetëm çështje kohe kualifikimi në një kompeticion të madh, ka talente sa të duash. Lojtarët e rinj janë një mrekulli. Po investojnë në infrastrukture dhe nuk ka si të dështojnë”, ka thënë Mustedanagiç, apo 'Xhemo', siç e njohin në Tiranë.

Më pas ai ka hyrë në detaje: “Kush mendon se Shqipëria do jetë një kundërshtar i lehtë në Europian, gabon rëndë. Dëgjova deklaratat e Zllatko Daliç, ai ka punuar në Shqipëri dhe ndoshta e njeh mentalitetin dhe talentin e lojtarëve shqiptarë. Tha se nuk duhet të nënvlerësojmë Shqipërinë. Ata kanë gjithçka që duhet të ketë një kombëtare serioze dhe mënyra si e kaluan grupin në eliminatore tregon se po avancojnë shumë.

Më kujtohet kur ishim me Kuzhen në seancën tonë të parë stërvitore në kombëtaren shqiptare. Lojtarët si të çmendur, rrëshkisnin, hidheshin në tokë. Pamë njëri-tjetrin dhe menduam: ‘Çfarë është kjo? Nëse ata vazhdojnë kështu, do të jemi kampionë të Europës’.

E pamë sa e rëndësishme është Kombëtarja për shqiptarët, sa të etur janë për rezultate. Kanë atë ngarkesë të fortë kombëtare, nuk dorëzohen, kombëtarja mbi të gjitha. Në atë kohë u mungonte niveli taktik dhe përvoja, por me kalimin e viteve, me ardhjen e trajnerëve të huaj dhe investimin e bërë, e morën edhe atë.
Shqipëria është mjaft e lidhur me Italinë, sidomos në futboll. Italianët janë modeli i tyre, ndaj shumë fëmijë kanë emra italianë. Nuk do ta harroj kurrë, një nga lojtarët e mi në kombëtaren U-17 quhej Marko van Basten Çema (qesh).

Shqiptarët nuk do të respektojnë shumë askënd, do të luajnë njësoj në çdo ndeshje. Ata janë sulmues nga mentaliteti, ky është lloji i futbollit që duan. Më kujtohen ditët e para në Shqipëri me Kuzhen, çdo lojtar që e pyesnim në çfarë pozicioni kishte luajtur, të gjithë ishin sulmues apo mesfushorë.

Kanë pasur problem me portierët dhe mbrojtësit, sot siç e shohim janë të mbuluar shumë mirë në ato pozicione, por nuk e kanë humbur rrugën bazë të lojës, që është sulmi. Ata ishin të pakënaqur edhe me Edoardo Rejën si trajner, u përqendruan shumë në mbrojtje. Tani trajneri i tyre është Silvinjo, i cili i udhëheq shumë mirë, është brazilian dhe ky stil u shkon më shumë.

I dërgova një mesazh kreut të FSHF-së, Armand Duka, duke e uruar për kualifikimin në Euro 2024. Është një president shumë i aftë, i cili beson në profesionalizëm. Të gjithë në Shqipëri sigurisht që kanë ambicie më të mëdha se thjesht të performojnë. Do doja që Kroacia dhe Shqipëria të kalonin më tej, Spanja dhe Italia le të luftojnë për vendin e tretë. Nuk është e lehtë, por nuk është as e pamundur”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë