Futboll

Murinjo drejt stolit të Interit, i bashkohen edhe tre ‘yje’ të futbollit botëror

Trajneri i ri i Interit do të jetë Hozë Murinjo. Ky është lajmi i bujshëm që vjen nga portali spanjoll “Don Balon” i specializuar në lajmet e merkatos. Tekniku portugez, një dashuri e vjetër në Milano është prej disa muajsh pa punë dhe po bëhet gati për aventurën e radhës në pankinë. Sipas shkrimit të “Don Balon” Inter duket se është bindur që për t’u rikthyer të lufta për titullin kampion dhe kompetitiv në Champions League, duhet një emër i madh si trajner dhe Spaleti duhet të largohet.

Murinjo ka mposhtur kështu konkurrencën e Kontes, pasi besohet se do ta ketë më të lehtë përshtatjen, por edhe raporti i ngushtë që ka pasur gjithmonë me tifozët dhe ngjyrat zikaltër. Por lajmi i bujshëm i “Don Balon” nuk ndalet vetëm me kaq, pasi shkon edhe më tej. Janë plot tre “yje” të futbollit botëror që do të zbarkojnë në Milano dhe do i bashkohen Murinjos te Inter. Bëhet fjalë për brazilianin Kutinjon, kroatin Modriç dhe danezin Eriksen. Të tre futbollistët që do të lëviznin nga klubet e tyre për shuma mbi 100 milionë euro dhe kontrata të majme, sipas "Don Balon" janë kërkuar nga trajneri portugez. Nëse do bëjë këto afrime, nga Inter do ishin të sigurt largimet e Ivan Perisiç dhe Mauro Ikardi, për të siguruar kështu një plus valencë të nevojshme për të kryer këto shpenzime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë