Treg

Mungesë karburanti në Rusi, furnizimi bëhet sipas targave të makinave!

Gazeta Si – Për shkak të krizës së karburantit në Rusi, disa rajone kanë vendosur kufizime mbi sasinë e benzinës që mund të blihet dhe disa autoritete vendore kanë miratuar një sistem furnizimi të bazuar në targat e automjeteve.

Kjo u raportua nga media e pavarur “Meduza”, e cila vuri në dukje se në shumë zona, jo të gjitha pikat e karburantit kanë rezerva, duke shkaktuar radhë të gjata në ato pika që kanë ende karburant.

Shitja e benzinës bazuar në numrat e targave u fut në përdorim në rajonin e Oryol-it më 4 korrik; në rajonin e Nizhny Novgorod-it, në Republikën e Mordovisë dhe në qytetin e Astrakhan-it më 9 korrik; në rajonin e Pskov-it më 10 korrik; dhe në rajonin e Lipetsk-ut më 11 korrik.

Mekanizmi përcakton se në ditët me numër çift mund të furnizohen makinat me targa që fillojnë ose mbarojnë me një numër çift, ndërsa në ditët me numër tek, lejohet furnizimi për automjetet me targa që kanë numra tek.

Sipas “Meduza”-s, mediat ruse dhe kanalet në Telegram raportojnë se një sistem i ngjashëm po shqyrtohet edhe në rajonet Ivanovo, Tambov dhe Yaroslavl.

Megjithatë, autoritetet në Tambov kanë deklaruar se nuk kanë ndërmend t’i drejtohen kësaj mase për momentin, ndërsa zyrtarët në Yaroslavl deklaruan se futja e sistemit të furnizimit bazuar në targa “nuk është planifikuar”.

Kufizimet janë vendosur si nga autoritetet rajonale ashtu edhe nga rrjetet e pikave të karburantit, ndërkohë që qeveria përpiqet të qetësojë opinionin publik, duke pretenduar se mungesa do të zgjidhet së shpejti dhe duke ia atribuar disa nga vështirësitë “nxitimit” të shoferëve për t’u furnizuar.

“Meduza” vëren se sistemi i alternuar i targave është përdorur më parë në vende të tjera për të përballuar mungesat e karburantit – si për shembull në Shtetet e Bashkuara në vitin 2012, në shtetet e prekura nga uragani “Sandy”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë