Kombetarja

Mungesa e ‘Plisave’ në stadium, dyshime për abuzim me biletat dhe ndërhyrje politike!

Gazeta Si – ‘Air Albania’ ishte mbushur plot mbrëmjen e së hënës, gati për festën e madhe të kualifikimit. Ra në sy sigurisht mungesa e tifo-grupit ultras nga Prishtina, ‘Plisat’. Një mungesë e paralajmëruar, pasi ky tifo-grup nuk kishte marrë bileta për ndeshjen me Ishujt Faroe, si më parë.

Për çfarë arsye? Deri tani FSHF nuk ka bërë asnjë sqarim zyrtarisht në lidhje me këtë çështje. Vëmendja e institucionit që drejton futbollin shqiptar ishte në tjetër vend, pa dyshim. Ka zëra se biletat e munguara për ‘Plisat’ kanë të bëjnë me një abuzim të këtij tifo-grupi.

Shtypi kosovar shkruan se ‘Plisat’ mund të kenë keqpërdorur biletat e marra nga FSHF në ndeshjet e mëparshme. Konkretisht, ata mund t’i kenë përdorur dy herë biletat për të hyrë në stadium. Pasi ka hyrë në ‘Air Albania’, një pjesë e tifozëve të këtij grupi ua ka dhënë biletat pjesëtarëve të tjerë jashtë stadiumit dhe kështu është krijuar ngarkesë mbi kapacitetin e impiantit. Kjo gjë duket se është pikasur nga FSHF.

Në anën tjetër, nga ‘Plisat’ pretendohet se atyre nuk u janë dhënë bileta për ndeshjen me Ishujt Faroe për shkak të ndërhyrjes politike, por pa dhënë më shumë detaje.

‘Plisat edhe një herë lajm. Nuk ka bileta. Por, sot nuk kemi kohë për lajmet tuaja. Plisat e kanë perfunduar misionin e tyre, ME SUKSES. Kur të gjithë ia kthyen shpinën kombëtares, ne ishim aty! Këta të njëjtit, të pandalshmit, të pashantazhueshmit, të vetmit, "kriminelat", "tradhëtarët"… ne do të jemi gjithmonë aty. Pavarësisht ndërhyrjeve të politikës, e të kujtdo, do të jemi përherë e më të fortë.

Nuk ka bileta - nuk ka problem. Le të shkojnë sonte të tjerët për festë. Në fund të fundit Kombëtarja është e të gjithëve. Ne do të kthehemi përsëri, edhe në festa - edhe në ditë të vështira. Plisat janë në festë. Prishtina sonte feston. Feston sepse ajo frymon KUQ E ZI. Sepse KU KA PLISA OSHT' SHQIPNI. Shihemi në Gjermani!’ – shkruhet në një postim të fundit të ‘Plisave’ para ndeshjes me Ishujt Faroe.

Një hipotezë është se një banderolë e ‘Plisave’ në ndeshjen me Çekinë, “Mallkue qoftë kush s’na do bashkë” mund të mos jetë pëlqyer nga FSHF ose politika, ndaj dhe ndaj tifo-grupit nga Prishtina janë marrë masa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë