Makina

‘Mund t’u dalin gomat’. Toyota tërheq nga tregu makinat elektrike

Toyota po tërheq nga tregu automjetet e tij të para tërësisht elektrike të prodhuara në masë për shkak të shqetësimeve se gomat e tyre mund të bien.

Një zëdhënës tha se bulonat e gomave mund të lirohen deri në atë pikë ku goma mund të dalë nga vendi pas një rruge të gjatë.

Tërheqja vjen më pak se dy muaj pasi makina u lançua në Japoni.

Prodhuesi i makinave Subaru thotë gjithashtu se për të njëjtën arsye do të tërheqë 2600 makina elektrike që ka zhvilluar me Toyota.

Makinat do të tërhiqen në Amerikë, Europë, Kanada dhe Japoni.

"Askush nuk duhet t'i drejtojë automjete elektrike të Toyota-s derisa të rregullohet ky problem", shtoi zëdhënësi.

Toyota shihet si një kompani relativisht e vonuar në tregun e automjeteve elektrike, në krahasim me prodhuesit rivalë si Tesla, e cila lançoi makinën e saj të parë elektrike 14 vjet më parë.

Toyota lançoi bZ4X në Japoni muajin e kaluar. Makina ishte e disponueshme vetëm me qira "për të eliminuar shqetësimet e klientëve në lidhje me performancën e baterisë", tha Toyota në fillim të këtij viti.

Këtë javë, kompania tha se do të shkurtojë numrin e automjeteve që planifikon të prodhojë muajin e ardhshëm me 50,000 nga 800,000 për shkak të mungesës së çipave kompjuterikë dhe ndërprerjeve të furnizimit të shkaktuara nga pandemia.

Megjithëse Toyota aktualisht synon të prodhojë gjithsej 9.7 milionë automjete në mbarë botën këtë vit, ajo ka sinjalizuar se mund të detyrohet ta ulë këtë numër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë