Kombetarja

Muja dhe Gjasula flasin për Moldavinë: Jemi shumë të motivuar, nuk kemi pse ndryshojmë

Gazeta Si – Kombëtarja ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës me Moldavinë, që luhet më 17 nëntor, kur kuqezinjtë mund të sigurojnë matematikisht pjesëmarrjen në ‘Gjermani 2024’. Asllani ka punuar i diferencuar dhe trajneri Silvinjo mund të thërrasë Medon Berishën e Shpresave për ta pasur në dispozicion.

Para sfidës së parafundit kualifikuese ndaj Moldavisë kanë folur dy nga lojtarët e Kombëtares, Arbnor Muja dhe Klaus Gjasula. Për fshf.org të dy kanë vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe kanë theksuar faktin se përqendrimi në kampin kuqezi është në shkallën maksimale.

“Jemi shumë të fokusuar. Kjo është finalja jonë. Në këto kualifikuese jemi përgatitur mirë, ta shohim si do të vazhdojë ecuria në këto ndeshje. Nuk mendoj që duhet të ndryshojmë, të dalim më shumë apo më pak nga vetja. Nëse vazhdojmë me këtë ecuri që kemi pasur, nuk besoj se do të hasim probleme.

Futbolli gjithmonë ka vështirësi dhe mendoj që ekipi që kemi ka shumë cilësi dhe zemër. Besoj se do të dalim me fitore. Fuqia jonë janë tifozat kuqezi, jemi shumë krenar për ta dhe shpresoj që t’i gëzojmë në dy ndeshjet e fundit, së pari me Moldavinë dhe pastaj ta bëjmë festën e madhe në Tiranë“, – tha Muja.

Klaus Gjasula, një lojtar me shumë eksepriencë, u shpreh: “E kemi parë të gjithë që Moldavia është një kundërshtar shumë i fortë, e kemi mundur vetëm ne në Tiranë. E dimë që ndeshja është shumë e rëndësishme, si një finale. Kemi vetëbesim, kemi zhvilluar një fushatë kualifikuese shumë të mirë dhe jemi gati për këtë ndeshje.

Duhet të bëjmë detyrat tona, duhet të jemi gati dhe të vazhdojmë të punojmë si çdo herë. Jemi shumë të motivuar, në ndeshjet në Tiranë dhe jashtë mbështetja ka qenë e shkëlqyer. Nuk kam ndjerë ndonjëherë në karrierën time një mbështetje të tillë dhe ka qenë shumë gjë e mirë, prandaj dhe paraqitjet e skuadrës kanë qenë shumë të mira. Mbështetja është shumë e rëndësishme për ekipin tonë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë