Rend dhe Ligj

“M’u lag nga shiu”, “E kam në xhep”… 4000 gjoba për maskat, por shumë s’kanë kontrata me OSHEE

“M’u lag nga shiu dhe e hodha!”, “E kam në xhep se isha duke pirë cigare!”. “S’kam! Tani do ta blej te farmacia e parë që do gjej!”, “Më ra në shesh e u bë pis”, “Sa dola nga lokali, tani po e vendos”,… e deri tek “Nuk dua ta vendos”. Këto janë justifikimet më të shpeshta që kanë nxjerrë qytetarët kur janë përballur me patrullat e Policisë së Shtetit dhe policive bashkiake për çështjen e maskave.

Gazeta “Si” mëson se kur po mbushen thuajse 10 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit që detyron mbajtjen e maskave në çdo ambient, me përjashtim të bareve dhe restoranteve, janë vendosur rreth 4 mijë gjoba në të gjithë vendin.

Por, burime të Gazetës “Si” thonë se për një pjesë të mirë të gjobave të vendosura nga komunikimi me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike po hasin vështirësi në gjetjen e kontratave të energjisë elektrike për t’u faturuar 3 mijë, apo 5 mijë lekshin e gjobës së marrë.

“Kjo për faktin se personat në fjalë nuk e kanë një të tillë. Janë persona madhorë dhe me zotësi të plotë juridike, me banim të deklaruar tek prindërit, vëllai, apo motra, apo ndonjë i afërm tjetër. Pra, ata vetë nuk kanë kontratë me OSHEE, por kanë familjarët e tyre”, thonë burimet.

Gjobat vendosen mbi bazën e certifikatës familjare, që do të thotë se personat e gjobitur, edhe nëse nuk janë kryefamiljarë, por figurojnë pjesë në certifikatën e trungut familjar gjoba vendoset në matësin e familjes. Po në rastet kur personat e gjobitur figurojnë të ndarë me familjarët e tyre në certifikatë dhe pa kontratë me OSHEE?

“Në të tilla raste marrja e gjobës përmes OSHEE është e pamundur. Janë duke u diskutuar mundësitë e marrjes së tyre në rrugë të tjera”, thonë burimet e gazetës “Si”, por pa sqaruar më shumë mbi këto “rrugë të tjera” pasi siç thonë janë ende në diskutim dhe konsultim, sidomos me zyrat juridike të Policisë së Shtetit.

Juristët e Policisë së Shtetit për momentin kanë përjashtuar mundësinë e delegimit të gjobës për këtë kaategori tek familjarët, apo të afërmit e tjerë, duke arsyetuar se përbën shkelje deri edhe të Kushtetutës.

“S’mund të gjobisim babain për faj të djalit. Juridikisht kjo bie ndesh me ligjin përsa kohë janë të ndarë në certifikatat familjare. Bie ndesh edhe me Kushtetutën, që e përcakton se përgjegjësia është individuale”, thonë burimet.

“Halli” me interpretimin e ligjit dhe “keqinterpretimi” qytetar me policitë bashkiake

Policia e Shtetit dhe policitë bashkiake janë vënë në “hall të madh” me interpretimin e aktit normativ që detyron mbajtjen e maskave në publik.

“Mjafton të dalësh nëpër rrugët e Tiranës dhe 80 për qind, për të mos thënë më shumë, e njerëzve e mbajnë maskën varur në qafë, ose në dorë. Patrullat policore janë vënë në dilemë të gjobisin, apo të mos gjobisin në të tilla raste”, thonë burimet e Gazetës “Si”.

Mes dy rrugëve, policët e patrullave kanë gjetur një të mesme.

“Në shumicën e rasteve pasi u merret emri e mbiemri qytetarëve që kapen në shkelje të aktit normativ u jepet një këshillim. Por sa më shumë shtohen rastet me infektime të reja, aq më shumë shtohet presioni i drejtuesve të Policisë së Shtetit për të vendosur gjoba”, deklarojnë burimet e gazetës “Si”.

Problematika tjetër lidhet me “keqinterpretimin”, apo “mosinformimin” e qytetarëve për parashikimet e aktiti normativ, që të drejtën e gjobës ja jep edhe policive bashkiake. Kompetencat e kësaj të fundit ndryshojnë nga Bashkia e Tiranës me bashkitë e tjera. Policia bashkiake e kryeqytetit ka kompetenca më të zgjeruara, por sërish ato mbeten administrative.

“Pra, policia bashkiake nuk mund të arrestojë, ndalojë, apo shoqërojë njeri. Ajo vetëm gjobit. Ka pasur raste kur qytetarët e ndaluar për mosmbajtje maske nga ana e policisë bashkiake e kanë shpërfillur atë, kanë rezistuar. Në përpjekje për të zbatuar parashikimet e aktit ligjor, policia bashkiake ka kërkuar ndihmën e Policisë së Shtetit”, thonë burimet.

Në këtë pjesë burimet thonë se kjo ka shtuar punën e patrullave të policisë së shtetit.

“Policitë bashkiake kanë kërkuar ndihmë në shumë raste. Në një pjesë të mirë të tyre qytetarët janë shoqëruar nëpër komisariate dhe detyrën e gjobitjes së tyre për mosmbajtje maske e kanë bërë punonjësit e Policisë së Shtetit. Por, kjo ka shtuar ngarkesën e patrullave”, vijojnë burimet.

Situata bëhet më problematike në Tiranë, ku Policia e Shtetit është e angazhuar edhe tek menaxhimi i trafikut, që me punimet në “Rrethrrotullimin Shqiponja” bëhet një detyrë edhe më shumë sfiduese.

“Për këtë arsye, drejtori (i policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj) ka kërkuar ndihmën e Policisë Bashkiake për menaxhimin e trafikut”, sqarojnë burimet e gazetës “Si”.

“Presioni” për të vendosur gjoba

Burimet e Gazetës “Si” thonë se Policia e Shtetit është urdhëruar, të paktën gojarisht, që gjobat të aplikohen vetëm në rastet kur haset në rezistencë dhe refuzim nga qytetari për të mbajtur maskën.

“Në rastet e tjera detyra e patrullave ka qenë kryesisht ndërgjegjësuese dhe këshilluese”, thonë burimet.

Megjithatë, ka akuza se në terren po aplikohen masivisht gjobat, sidomos në 3-4 ditët e fundit, kur edhe numri i rasteve të reja me Covid-19 është rritur ndjeshëm.

“Direktivat për patrullat nuk kanë ndryshuar. Ato janë të njëjta që nga fillimi. Mund të ketë ndodhur që në fillim policia është treguar më tolerante ndaj shkelësve për t’u lënë kohë qytetarëve që të mësohen me realitetin e ri; atë që maska është me detyrim”, shpjegon një tjetër burim i gazetës “Si”, duke mohuar çdo akuzë se uniformat blu në terren janë nën presion për të vendosur gjoba.

Lajme të lidhura


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë