Ushqim

Mrizi i Zanave fiton 4 medalje në konkursin botëror të verës, Prenga: Shqiptarët e duan cilësinë por i besojnë pamjes

Konkursi më i madh dhe më me ndikim në botë i verërave ka publikuar rezultatet për vitin 2022 dhe mes fituesve është edhe Shqipëria me 4 marka vere.

Pas një viti rekord për verërat totale të shijuara në 2021, rekordi u krye sërish këtë vit me 18,244 verëra të gjykuara nga 54 vende. Për dy javë, pothuajse 250 ekspertë ndërkombëtarë të verës dhanë medalje për verërat më të mira.

Tre marka fituese të medaljeve të bronzit janë nga Mrizi i Zanave, përkatësisht verërat Geg Kallmet Superior, Ara e Dardhës, Roza dhe Kuven. 3 të parat u vlerësuan me medalje bronzi dhe e fundit me medalje argjendi.

Altin Prenga nga Mrizi i Zanave thotë për Gazetasi.al se të katërta këto vera kërkohen shumë edhe nga klientët, si shqiptarë ashtu edhe të huajt.

“Një nga këto të katërta nuk e kam në shitje dhe më luten të huajt që t’u jap një shishe me vete”, thotë Prenga.

Ai shton se në fakt shqiptarët mundohen të kërkojnë verën më të mirë nga ana cilësore por gjithsesi janë të tërhequr nga verërat “komerciale”.

Altin Prenga

“Pjesa më e madhe e verërave që importohen në Shqipëri janë vera me residuo sheqeri të lartë dhe që kanë shije komerciale por etiketat janë potente dhe kanë shishe që peshojnë. Kjo i tërheq shumë pasi u duket më e mirë një verë me ambalazhim të mirë”, thotë Prenga.

Prenga shton se shqiptarët besojnë më shumë tek verërat e huaja dhe ato me pamje të bukur.

Gjithsesi, ai tregon se për të, vera është si lokomotiva e turizmit prandaj identiteti dhe cilësia janë kryesore.

Në krye të listës së rezultateve të rëndësishme, 2022 ishte një vit i spikatur për Amerikën e Jugut me fitore të mëdha për Argjentinën dhe Kilin.

Argjentina mori 41 medalje ndërsa Kili 29 medalje.

Ishte një vit emocionues dhe për Italinë. Italia mori tetë medalje për verërat më të mira, 25 medalje platini dhe 114 medalje të arta.

Veçanërisht, Sardenja dhe Siçilia ishin dy vendet më të mira në Itali për verërat.

Fituese në konkurs ishte edhe Ukraina e cila i dorëzoi shishet e verës nëpërmjet Hungarisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë